Kryetari Ahmeti shpërfill debatet publike me qytetarë

Kryetari Ahmeti shpërfill debatet publike me qytetarë

Organizata joqeveritare INPO reagon ndaj injorimit të vazhdueshëm të Kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës për të prezantuar në takimet publike me qytetarë.

Komuna e Prishtinës, më 29 qershor 2018, ka mbajtur takim të përgjithshëm me qytetarë, në të cilin nuk ka marrë pjesë as kryetari i komunës dhe as anëtarët e Kuvendit Komunal, siç obligohen me ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi për transparencë komunale.

INPO sqaron se Ligji NR. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, respektivisht, neni 68, obligon komunën që së paku dy (2) herë në vit të mbajë takime publike, në të cilat takime duhet të udhëhiqen nga përfaqësuesit e zgjedhur komunal. Rrjedhimisht, përfaqësues të zgjedhur në komunë janë kryetari i komunës dhe anëtarët e kuvendit.

Sipas INPo-s, në asnjë dispozitë të këtij ligji, nuk parashihet që të emëruarit politik, respektivisht drejtorët e drejtorive të mbajnë takimet publike, pasi që ata nuk janë përfaqësues të zgjedhur nga vota e qytetarëve.

“Tutje, sipas nenit 7, të UA (MAPL) Nr.01/2015 për Transparencë në Komuna, kryetari i komunës ka për obligim të organizoj takime më  qytetarë me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, si dhe të dëgjoj propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjeve të ngritura, e që janë kompetencë e ekzekutivit të komunës. Gjithashtu, edhe statuti i komunës e obligon kryetarin që t`i udhëheq takimet publike me qytetarë”, thuhet në një komunikatë të INPO-s.

Në bazë të monitorimit sistematik të komunës së Prishtinës, INPO-ja, ka vërejtur se kryetari i komunës nuk merr pjesë në takime me qytetarë. Për më tepër, nuk e delegon as nënkryetarin e komunës, gjë të cilën e parasheh ligji.