Kryetari dhe sekretari i Bashkësisë Islame në Pejë mohojnë akuzat lidhur me zhvarrosjen e një kufome

Kryetari dhe sekretari i Bashkësisë Islame në Pejë mohojnë akuzat lidhur me zhvarrosjen e një kufome

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në Pejë, Musli Arifaj, dhe sekretari i këtij institucioni, Fuad Hoxhaj, nuk e kanë pranuar fajësinë se në mënyrë të paautorizuar e kanë zhvarrosur një kufomë në varrezat e Pejës.

Për këtë, ata akuzohen se më 3 tetor të vitit 2018, në varrezat e qytetit në Pejë, në bashkëveprim dhe në mënyrë të paautorizuar e kanë zhvarrosur kufomën e të ndjerit T.G, për çka ngarkohen me veprën penale “dëmtim i varreve apo kufomave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sadije Muriqi, të akuzuarit, secili veç e veç, kanë deklaruar nuk se pranojnë fajësinë për veprën e cila u vihet në barrë.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për varrosjen apo zhvarrosjen e trupit.

“Nuk e pranoj fajësinë. Unë nuk kom qenë as në dijeni, as kur është varros dhe as zhvarros trupi, as nuk kam jep asnjë autorizim me shkrim, as për varrosje, e as për zhvarrosje”, ka thënë Musli Arifaj.

Edhe i akuzuari Hoxhaj, ka mohuar fajësinë lidhur me një akuzë të tillë.

“Unë jom i pafajshëm, me arsyetimin se unë nuk jam urdhërdhënës, as vendimmarrës nga pozita ime si sekretar, po ashtu nuk kam qenë në Kosovë, as kur është varros, as kur është zhvarros trupi, e gjitha kjo është bërë pa dijeninë apo urdhrin e KBI –së”, ka thënë Fuad Hoxhaj.

Pasi që të pandehurit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjyqtari Murat Hulaj, i ka udhëzuar ata që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kërkesë me shkrim për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërsa, shqyrtimi i dytë do të caktohet brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 dhjetor 2018,  Musli Arifaj dhe Fuad Hoxhaj akuzohen se me 3 tetor 2018, në Pejë, në bashkëveprim e kanë zhvarrosur trupin e të ndjerit  T.G, për çka në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 421, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Musli Arifaj, në pozitën e kryetarit KBI-së, në Pejë, i ka jep urdhër dëshmitarit Isa Agushi, për zhvarrimin dhe varrimin e të ndjerit në fjalë, me ç’ rast i njëjti i ka kryer këto procedura në prezencën e të akuzuari Fuad Hoxhaj, e të cilat veprime janë kryer pa i respektuar procedurat përkatëse administrative sipas rregullores komunale mbi varrezat, mirëmbajtjen e tyre dhe varrimin e datës 5 tetor 2005.