Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se kjo komunë e mbështetë në mënyrë të plotë organet e drejtësisë në zbatimin e ligjit dhe vënien e drejtësisë, njofton Insajderi.
Reagimi i tij ka ardhur pasi gjatë një aksioni të zhvilluar të enjten në rajonin e Dukagjinit janë arrestuar 10 persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Klinës.
“Ne duam që as kjo komunikatë të mos ketë efekt në hetimet, e as që duhet të paragjykohet si e tillë. Përkundrazi besojmë se hetimi duhet të jetë i drejtë dhe i shpejtë ashtu që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme. Në rast të kundërt, si kryetar i komunës së Klinës vlerësoj se organet e drejtësisë duhet të përmbahen nga veprimet që mund të prodhojnë precesione politike, për çka dua të besoj se nuk ka një arsye të tillë”, ka shkruar Elezaj në Facebook.
Tutje, ai është shprehur se nëse organet e drejtësisë shndërrohen në vegla politike ose vihen në shërbim të politikës, kjo sipas tij, do të ishte fatkeqësi dhe rrezik për sundimin e ligjit dhe demokracinë.
“Shpresojmë dhe urojmë që organet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe e vërteta të del në shesh sa më parë”./Insajderi.com