Dënimet me kusht për korrupsion duhet të hiqen, pasi për lëndët e kësaj natyre duhet dhënë dënime meritore, njofton Insajderi.
Kështu ka deklaruar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i cili tha se është i pakënaqur me vendimet që merren sa i përket rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion në shkallën e parë, të dytë dhe atë të Gjykatës Supreme.
“Personalisht s’jam i kënaqur kurrë. Mendoj që duhet më dhënë maksimumin si në shkallë të parë ashtu edhe në shkallën e dytë, si dhe në atë Gjykatën Supreme”.
“Kur kemi të bëjmë me vepra penale të karakterit të korrupsionit, unë konsideroj që gjyqtarët nuk duhet të japin dënim me kusht, ngase ajo është sitmulim për me kryer veprën”, ka thënë ai për EO.
Shala thotë se gjatë vitit 2020 kjo Gjykatë ka bërë punë të mirë sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Ndërsa, vlerëson se problem kanë me shqyrtimin e lëndëve civile, kjo për shkak edhe të numrit të vogël të gjyqtarëve, ani pse thotë që kanë bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor për rritje të numrit të tyre.
Pandemia ka prekur edhe këtë institucion, ku shtatë gjyqtarë kanë qenë të infektuar me Coronavirus dhe mbi 10 pjesëtarë të stafit civilë./Insajderi.com