Kryetari i Kamenicës publikon pamje se si u rrënuan kazinot në Karaçevë

Kryetari i Kamenicës publikon pamje se si u rrënuan kazinot në Karaçevë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka publikuar një video ku shihet rrënimi i kazinove gjatë mbrëmjes së djeshme në fshatin Karaçevë të Kamenicës, njofton Insajderi.

Përmes kësaj videoje të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë se komuna bashkë me institucionet e sigurisë po vazhdojnë me rrënimin e të gjitha objekteve që kanë qenë të destinuara si kazino.

“Ora 03:00 e mesnatës. Komuna, në bashkërendim me institucionet e sigurisë, po vazhdon me rrënimin e të gjitha objekteve që kanë qenë të destinuara si kazino”, ka shkruar Kastrati.

 

🔴 LIVE – Rrënimi i kazinove në Karaqevë

Ora 03:00 e mesnatës. Komuna, në bashkërendim me institucionet e sigurisë, po vazhdon me rrënimin e të gjitha objekteve që kanë qenë të destinuara si kazino.

Posted by Qëndron Kastrati on Friday, September 18, 2020

 

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një operacion të madh në këtë fshat.

Ky operacion që vlerësohet të jetë më i madhi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, vjen pas një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria e Gjilanit, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme në atë pjesë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.

E për këto dyshime, pas prangave janë vënë 33 persona, prej të cilëve 10 janë zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

“Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, ka njoftuar Prokuroria. /Insajderi.com