Për të dytën herë është shpallur fajtor kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për veprën penale “konflikt interesi”.
Aktgjykimi ndaj Elezajt u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.
Gjykata e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë, për shkak se në vitin 2018 kishte ndikuar që vajza e tij të punësohej në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në komunën ku ai e udhëheq.
Dënimin në fjalë, i akuzuari Elezaj është i obliguar që ta paguajë në afat prej 6 muaj, nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin në afat të caktuar, atëherë gjykata do ta zëvendësoj me dënim me burg, duke e llogaritur 20 euro një ditë burg.
Elezaj ishte shpallur fajtor edhe në dhjetor të 2020 nga po kjo gjykatë dhe ishte dënuar me gjobë të njëjte e me ndalim për dy vjet të funksionit në administratë, por rasti u kthye në rigjykim si shkak i ankesës në Apel.
Dallimi nga dënimi i parë është se Elezajt, që fitoi edhe një mandat në muajin e shkuar për të udhëhequr Klinën, nuk do t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryetarit./Insajderi.com