Kryetari i Sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha, ka folur pas suspendimit të gazetarit Ridvan Berisha. Ai ka thënë se raste të tilla si të Berishës do të ketë shumë shpesh, pasi Kuvendi do të vendosë që seriozisht të merret me transmetuesin publik, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebok, Hoxha ka thënë se ata që e kanë suspenduar dhe Berisha nuk dallojnë shumë në të bëmat e tyre në RTK.
“Filma te zhanrit komedi si ky i shkarkimit te Ridvanit kemi me pa më shpesh deri në ditën kur Kuvendi i Kosovës vendos me u marrë seriozisht me Transmetuesin Publik. Një gjë duhet të kemi të qartë, shkarkuesit dhe i shkarkuari në raport me të bëmat e tyre në RTK nuk dallojnë shumë me njeri- tjetrin. Ajo çka i bënë ata të dallueshëm është intervali kohor i të vepruarit, te disa me i gjatë e te disa tjerë me i shkurtë”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se për dhjetë vitet e fundit janë të njëjtit persona që kanë udhëhequr me RTK-në dhe të njëjtit janë përgjegjës kryesor për degradimin programor, strukturor, organizativ e financiar të saj.
Hoxha ka shkruar se “kthimi i ligjshmërisë në RTK nis nga bordi i saj dhe është në përgjegjësinë e Kuvendit që këtë ta bëjë sa më shpejtë”./Insajderi.com