Kryetari i Kaçanikut “palon” para në bankë dhe blen veturë luksoze

Kryetari i Kaçanikut “palon” para në bankë dhe blen veturë luksoze

Besim Ilazi është kryetari i Komunës së Kaçanikut dhe vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2017 në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Ilazi ka deklaruar se ka kursyer 53 mijë euro në institucionet bankare.

I pari i Komunës së Kaçanikut ka deklaruar edhe pasuri të paluajtshme, dy shtëpi dhe një parcelë tokë.

Njëra shtëpi thotë se e ka blerë vetë, por me bashkëfinancim familjar, dhe ka vlerën e 150 mijë eurove, raporton Insajderi.

Ilazi ka paraqitur në deklarimin e pasurisë edhe dy vetura. Njërën e ka të përbashkët me familjen, dhe ka vlerën e 4 mijë eurove, ndërsa një tjetër ka deklaruar në AKK se e ka blerë me paratë e tij dhe se ka vlerën e 15 mijë eurove. Kjo veturë, ai ka deklaruar se është e tipit Volkswagen Passat.

Veturën VW Passat të cilën e ka vlerësuar 15,000 euro, Ilazi ka thënë se e ka blerë në vitin 2015.

Ai ka deklaruar se ka një pagë prej mbi 13 mijë eurove në vit, si kryetar i Komunës. Paga e tij mujore është rreth 1,100 euro.

Ai ka deklaruar se ka edhe një ordinancë private stomatologjike në Kaçanik. /Insajderi.com