Komuna e Lipjanit ka sqaruar akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) rreth ndihmës financiare që kryetari Imri Ahmeti i kishte ofruar ish-Miss Kosovës, Kaltrina Nezirit, përmes një vendimi të marrë në vitin 2014.
Sipas njoftimit të lëshuar sot nga Komuna e Lipjanit, kryetari Ahmeti i kishte ofruar ndihmë financiare prej 800 eurove ish-Missit që është banore e Komunës së Lipjanit. Komuna që udhëhiqet nga Imri Ahmeti thotë se paratë ia kishte dhuruar Kaltrina Nezirit për ta ndihmuar financiarisht për udhëtim jashtë vendit.
Por, Komuna ka thënë se nuk e di se ku kanë shkuar ato para.
“Ne, me qëllim që t’i ndihmojmë sadopak në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, sipas kërkesës së saj, i kemi ndihmuar me 800€ nga buxheti i Drejtoratit të Kulturës. Pastaj, çështja e shpenzimit të këtyre mjeteve është çështje e personit në fjalë”, thuhet në reagimin e Komunës së Lipjanit.
Komuna ka thënë se “për ne si Drejtorat ka qenë e papranueshme të grumbullohen mjete në bizneset e Lipjanit për t’i hequr shpenzimet e udhëtimit të Kaltrinës, kësisoji Drejtorati e ka parë të arsyeshme që një qytetare që do ta përfaqësonte vendin tonë në Filipine”.
E kontaktuar nga Insajderi, Kaltrina Neziri ka treguar se sa para ia ka ndarë Komuna dhe si i ka shpenzuar ato. Sipas saj, paratë nuk janë shfrytëzuar për rregullimin e dhëmbëve siç thotë kallëzimi penal i PDK-së kundër kryetarit.
“Komuna e Lipjanit ka qenë një ndër përkrahësit e mi gjatë udhëtimit tim në organizimin e Mis Earth”, thotë ajo për Insajderin.
Neziri e cila është nga Lipjani ishte takuar edhe zyrtarisht me kryetarin e komunës së saj, Imri Ahmeti menjëherë pas marrjes së kurorës Miss Kosova 2014. Këtë kurorë ajo e kishte marrë edhe në vitin 2015, ku kishte udhëtuar drejt Vjenës për të marrë pjesë në Miss Earth 2015, pasi kishte dështuar të marrë pjesë në edicionin e mëhershëm që ishte mbajtur në Filipine.
Neziri i tha Insajderit se ka marrë një shumë prej 800 eurove nga Komuna e Lipjanit, para të cilat i ka shpenzuar për udhëtimin në Vjenë.
“Komuna më ka përkrahur me 800 euro për përgatitjen e udhëtimit dhe kështu ka ndodhur”, ka thënë Neziri.
Ajo ka mohuar se paratë e marra i ka shpenzuar për rregullimin e dhëmbëve.
“Paratë janë harxhuar për të mbuluar shpenzimet e rrugës”, ka thënë ajo. Kur Insajderi i kërkoi të paraqiste faturat e shpenzimit të parave ajo refuzoi. /Insajderi.com