Kryetari i OVL të UÇK-së kundër protestës së organizuar nga veteranët

Kryetari i OVL të UÇK-së kundër protestës së organizuar nga veteranët

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka demantuar lajmin për protestën që do të bëhet sot nga ora 11:00 nga veteranët e luftës.

Ai ka thënë se kjo nuk është e organizuar nga Këshilli i OVL-së, mirëpo nga një grup i caktuar i personave që nuk iu është njohur statusi i invalidit të luftës.

“Këtë e kanë organizuar ata që ju ka njohur statusi i invalidëve të luftës, mirëpo nuk kanë ardhur në komision, këta nuk kanë ardhur as prej këshillit të veteranëve, janë individ të caktum.“, tha Gucati.

Madje, Gucati ka thënë se krejt kjo protestë nuk po bëhet shkaku i pagave dhe nuk e gëzon mbështetjen e Organizatës së Veteranëve.

“Na nuk e kemi organizuar, kjo është e organizuar prej grupacionit të tyre, vetë. Këta kanë dal për komisionin invalidor nuk kanë dal për paga.”, ka theksuar ai.

I pyetur për pagat e veteranëve ai ka thënë që kanë konfirmim nga Qeveria që veteranët do të paguhen brenda dy muajve.

“Veteranët pagat kanë me i marrë për dy muajve, shumë shpejt kanë me i marrë pagat”, shtoi ai,  për Gazetën Blic.

Ndryshe, sot nga ora 11:00 është paralajmëruar protestë për kërkim të miratimit të buxhetit për pagesat e veteranëve, kështu ka bërë të ditur veteran Agim Hoti, përmes një njoftimi të publikuar në faqen e tij në Facebook. Sipas njoftimit protestuesit do të nisën nga Skenderaj për në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe do të jenë në numër 270 deri në 300 persona.