Kryetarja e KE-së i dërgon kryeministrit Kurti letër ku Kosovën e lë pa fusnotë

Kryetarja e KE-së i dërgon kryeministrit Kurti letër ku Kosovën e lë pa fusnotë

Në letrën zyrtare të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyenit, dërguar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, Kosova është shkruar pa fusnotë.

Letra, e datës 23 prill, është publikuar nga Qeveria të hënën.

Përmes saj, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duke folur për pandeminë COVID-19 që ka prekur edhe vendin tonë, ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se një situatë shumë më e ashpër e financimit ka qenë një aspekt i krizës së COVID-19 për ekonomitë në zhvillim siç është Kosova.

Një letër e ngjashme, pa fusnotë, kishte ardhur ne adresë të Qeverisë edhe më herët, nga Komisioneri evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Fusnota i vihet emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e vendit në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.