Kryeziu: Presidentin duhet ta zgjedh një Kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja

Kryeziu: Presidentin duhet ta zgjedh një Kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk mund të ketë unitet për përcaktimin e presidentit, nëse nuk ka legjitimitet, njofton Insajderi.

Sipas tij, presidentin e zgjedh një Kuvend i ri pas zgjedhjeve të reja.

”Nuk kalon ditë që klubi i vjetër politik nuk demaskohet. Kësaj radhe, rendin e ka ‘kërkesa dhe nevoja për unitet’ rreth çështjes së presidentit. Po për çfarë uniteti, rreth kujt dhe për çka? AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër, e madje për të kërkon edhe ‘votë veresi’”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

“PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga rradhët e saja, dhe se pas presidentit Thaçi ka ardhë ‘koha të nderohet me një kandidat tjetër për president’. LDK, e tmerruar nga zgjedhet e reja, kërkon shpëtim gjetiu teksa thotë se ky post i takon PDK-së”, thotë tutje ai.

Siç thekson Kryeziu, si përfundim, të gjitha subjektet, në përjashtim të LVV-së, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë me kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre.

“Pra po kërkohet unitet rreth ambicieve të tyre, dhe rreth një qasjeje krejt jokushtetuese pasi të gjitha po synojnë presidentin përmes një kandidati partiak”.

“Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit. Edhe për këtë dilemë, zgjidhjen e gjejmë tek zgjedhjet”, përfundon Kryeziu. /Insajderi.com