Derisa po raportonte para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nuk i është dorëzuar asnjë document gjatë pranim-dorëzimit të detyrës.
Para këtij komisioni ku Zemaj raportoi për rreth tri orë, ai tha se nuk po e gjen as dosjen e sigurimeve shëndetësore.
E këtyre akuzave i është përgjigjur zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se as Ministri Vitia nuk ka pranuar ndonjë dokument nga ai paraprak.
Kryeziu tutje ka thënë se nuk kanë bërë pranim-dorëzimin ndaj kësaj qeveri ilegale dhe ilegjitime për asyet që i kanë theksuar më parë.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu tutje ka shtuar se sipas tij, të vetmet punë të cilat aktualisht ky ministër ka bërë që nga marrja e detyrës janë arsyetimi dhe viktimizimi.
Postimi i plotë:
Deklaratat e z. Zemaj do të ishin komike po të mos ishte ministër i Shëndetësisë, aq më tepër ministër i saj në kohë pandemie.
Sot ai paska thënë se arsye për keqmenaxhimin e tij me pandeminë na qenka se ish-ministri Vitia nuk i ka lënë asnjë dokument.
Ne nuk e kemi bërë pranim-dorëzimin ndaj kësaj qeveri ilegale dhe ilegjitime për asyet që i kemi theksuar. Pranim-dorëzimi i detyrës para se gjithash është akt ceremonial.
Detyra e Ministrit është politike dhe është detyrë e tij të shtyjë para politikat që janë në programin qeverisës. Mekanizmat përgjegjës për mirëmbajtjen e memories institucionale që përfshin secilin veprim e vendim ekzistojnë brenda ministrisë.
As ministri paraprak nuk i ka dorëzuar asnjë dokument ministrit Vitia. As ministrat tjerë.
Por, siç duket arsyetimi dhe viktimizimi janë punët e vetme që ministri aktual ka bërë që nga marrja e detyrës. Rezultatet po e tregojnë këtë gjë. Jo kompetenca, neglizhenca dhe mosveprimi i tij po vret çdo ditë qytetarët tanë. /Insajderi.com