Shumë qytetarë të moshuar të cilët shpresonin se do të marin vaksinën anti-COVID të marten e 30 marsit, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, u kthyen mbrapsht, njofton Insajderi.
Në mesin e të moshurve që u ankuan ishin, Zorka Shala, 68 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Sahiti, 72 vjeç.
“Mezi kemi pritur. Një vit unë kam qëndruar në stres, gjithë pa dalë. Erdhëm ta marrim vaksinën, ndoshta e kemi kuptuar keq që erdhëm. Na e dhanë një letër dhe na thanë që të shkojmë sepse ata do të na thërrasin. Jam e dëshpëruar me organizmin sepse është dashur të thonë në televizion, që mos të enden pleqtë”, tha Shala për REL.
Qytetarët që kanë shkuar për të marrë vaksinën janë njoftuar se personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit në çdo komunë për t’u vaksinuar, sipas listave të siguruara nga institucionet e vendit.
Ndërsa, për t’u siguruar përfshirja e plotë e tyre në lista është thënë se do të jetë në dispozicion të qytetarëve edhe platforma elektronike, ku kërkohet nga ta të regjistrohen në ueb faqen ‘eKosova’.
Ky regjistrim elektronik po është i rëndë për të moshuarit. ”Ndoshta nuk dimë të regjistrohemi në këtë e-mail adresë, jemi plakur, nuk dimë ta përdorim kompjuterin”, ka thënë Zorka.
Ismajl Ajvazi, 72 vjeç, ka thënë se ka sëmundje kronike dhe ai ishte njoftuar se do të kishte përparësi në vaksinim dhe se vaksinën do ta merrte të marten.
“Sipas informimit të mbrëmshëm sot është ndryshe. Na thanë se duhet të aplikojmë dhe pastaj na thërrasin. Pasi u bë ky ndryshim nuk do të vjen në shprehje vaksinimi, tash po kthehemi në shtëpi”, tha ai.
Gjatë muajit shkurt, institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19, ku në bazë të tij, faza e parë përfshin vaksinimin e grupeve me rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike.
Numri i përgjithshëm i këtij grupi llogaritet të jetë 54 mijë persona ose tre për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Edita Goranci-Haxhiu tha se “sipas planit shtetëror të imunizimit janë planifikuar tri faza të vaksinimit, deri 70 për qind e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, varësisht prej dërgesave të vaksinave që do t’i sigurojmë”. /Insajderi.com