
Dalip Brahimi si lider dyshohet se e kishte munduar shumë biznesmenin dikur të tenderëve të KEK-ut, e më vonë edhe si ndërtues, Bejtush Zhugollin.
Sipas të dhënave tashmë publike për shumë vite, Zhugolli, si shumë biznesmen një herë i ishte afruar për ta ndihmuar me financa Partinë Demokratike të Kosovës të drejtuar atë kohë nga Hashim Thaçi.
Familja Zhugolli, sipas raportimeve të asaj kohe, ishte hisedarë e madhe e tenderëve të KEK bashkë me një familje tjetër, Shoshi nga Peja, ku në vitin 2008 kontraktohen për ndërrimin e shiritave transportues të thëngjillit nga Sibovci. Vlera e projektit arrinte në mbi 70 milionë euro.
Sipas dosjes së Prokurorisë Dalip Brahimi, i njohur në publik si Dalip Fajdexhiu i kishte transferuar Zhugollit veç pak më shumë se 160 mijë euro. Transaksionet që i ka siguruar InDoks dëshmojnë që Zhugolli i deponoi në xhirollogarinë e Dalip Brahimit afro 750 mijë euro. Ato janë shënuar si kthim i huazimit. Diferenca është shumë e madhe – janë kthyer në emër të huazimit afro 600 mijë euro më shumë se sa janë marrë. Prokuroria dyshon se kjo ishte fajde. Por, a është ky një nga rastet më interesante ku fajdeja u bë përmes xhirollogarisë bankare? Një përgjigje në këtë pritet që ta japë gjykimi.
InDoks ka kontaktuar me Bejtush Zhugollin, po edhe ai si shumë të tjerë ka refuzuar që të flas për Dalip Brahimin. / Insajderi.com