Ku buron Vjosa dhe pse LDK-në e ka marrë lumi?

Ku buron Vjosa dhe pse LDK-në e ka marrë lumi?

Njashtu sikurse Lumi Vjosa që buron në një shtet tjetër por derdhet në Adriatik të Shqipërisë, edhe kandidatura e Vjosa Osmanit buron nga një mendësi që nuk ka të bëjë fare me qëllimin përfundimtar të kësaj kandidature.

Të rralla janë rastet kur kuptimi i emrave të njerëzve përkon në mënyrë maestrale me ndonjë proces në jetën e tyre. Një fat të tillë e ka Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen me 6 tetor. Për ta kuptuar këtë koiçidencë duhet të merremi me disa fakte për Lumin Vjosa dhe me Politikanen Vjosa.

Lumi Vjosa, buron në veriperëndim të Greqisë ndërsa derdhet në detin Adriatik në Shqipëri.

Vjosa Osmani, buron nga LDK-ja, një parti e djathtë konservatore ndërsa kandidatura e saj nuk është që të arrihet barazia gjinore por të qojë ujë tek mulliri i LDK-së që tek tash dëshiron të “bluaj” për “barazinë gjinore”. Është e qartë që kandidimi për kryeministre i Vjosa Osmanit nga kryesia, është një kandidaturë krejtësisht falso e LDK-së, dhe një tentim për të manipuluar me gjendjen katastrofale të grave në politikë. Dhe, për ta komplikuar edhe më shumë, arritjen e një koalicioni opozitar që do të mund t’i fitonte zgjedhjet, dhe e vetme ta krijonte Qeverinë.

Po të kishte barazi gjinore brenda LDK-së dhe po të ishte LDK-ja partia që dëshiron t’i japë pushtet grave – ose së paku barazi mes burrave dhe grave – do të kujdesej që në kryesinë e saj prej 33 anëtarëve të mos jenë vetëm 8 gra.

Për ta qartësuar dhe argumentuar edhe më shumë faktin që LDK-ja është një parti që nuk është brengosur dhe nuk ka punuar seriozisht në përfaqësimin e grave, le të kthehemi prapa në vitin 2014, kur LDK së bashku me PDK e kishin krijuar Qeverinë me kryeministër Isa Mustafa. Në kabinetin e  ministrave të LDK-së,  vetëm një grua ishte zgjedhur ministre: Hikmete Bajrami, si minsitre e Tregëtisë.

Nëse kjo nuk mjafton, një vit më pas, në maj të 2015-s, kur LDK-ja po mbante zgjedhjet për kryetar, ishte konfirmuar politika anti-barazi gjinore. E njejta strukturë e LDK-së që sot e kandidon Vjosa Osmanin për kryeministre, ia kishte pamundësuar që të kandidojë për kryetare të partisë. Nuk kishte mundur t’i mblidhte as votat për t’ia mundësuar kandidimin. A nuk ishte e mençur dhe e aftë edhe atëherë, që së paku t’i besonin kandidaturën? Jo, ajo po penalizohej për shkak të kundërshtimit me Mustafën, për zgjedhjen e Thaçit president. LDK para tre vitesh ishte një parti ku vet Vjosa Osmani e cilësonte si të marrë peng nga Isa Mustafa, ndërsa mbetet e mistershme se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve që tash t’ia besojnë postin e kryeminsitres.

“Nuk më lejuan të jem kandidate. Kemi tentim antistatutor që të shkohet me vetëm një kandidat, tentimi ishte që të eliminohet çdo kandidat tjetër dhe të shkohet vetëm me Isa Mustafën. Nuk e konsideroj kryetar legjitim të LDK-së”, kishte thënë Osmani, pasi ishte zgjedhur Mustafa kryetar me aklamacion.

Kjo politikë anti-grua e LDK-së kishte shpërthyer edhe me aksione fizike, kur një nga veprimtaret e kësaj partie, Donika Gërvalla, ishte nxjerrë për krahu jashtë sallës ku mbahej Konventa e partisë. Madje edhe vet Osmani, kishte reaguar ndaj këtij veprimi.

Por të gjitha këto kanë rënë në ujë, gjatë viteve të fundit. Osmani u pajtua se nuk mund të jetë kryetare e LDK-së, duke ia lëshuar Mustafës vendin e kryetarit edhe për mandatin e tretë, përkundër sëmundjes së rëndë që ai e ka. Në këmbim të postit të kryetares së partisë, ku Osmani do të mund të bënte reformën në këtë parti, ajo u pajtua me një kandidaturë për kryeministre, e cila është derivat i një vendimi të marrë nga tre burra të vjetruar në politikë, si Mustafa, Agim Veliu e Lutfi Haziri. Kandidatura e saj buron nga vendimi i 23 burrave dhe 8 grave në kryesi. Kjo ngjason me Arabinë Saudite, kur para dy viteve ishte krijuar Këshilli për Gra pa asnjë grua në atë këshill.

Fakti i dytë për burimin dhe rrjedhën e Vjosës

Lumi Vjosa, rrjedh në dy vende. Ka një gjatësi prej 272 km, prej të cilave 192km shtrihen brenda territorit të Shqipërisë e vetëm 80 km në territorin e Greqisë. Që i bie që 80% e lumit Vjosa shtrihet nëpër Shqipëri. Kandidatura e Vjosa Osmanit, është  80% në shërbim të burrave të vjetëruar në LDK dhe 20% në shërbim të votuesve, qytetarëve të Kosovës.

Burrat e vjetruar në LDK dhe në skenën politike kosovare, sikurse Agim Veliu, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Anton Quni, Skender Hyseni e shumë të tjerë, duke e ditur që asnjëri nga ta nuk do të mund të bind qytetarin e Kosovës për t’i votuar, kanë krijuar një kandidate artificiale, e cila do të jetë në shërbim të tyre.

Fakti që Osmani nuk ka të drejtë të flas në emër të partisë, por në vend të saj do të flas Lutfi Haziri, është edhe një tregues se ajo po vendoset si një marionetë. Askush nuk mund të më bind, se Vjosa si kandidate për kryeministre do të jetë e lirë që të hartojë një plan të bazuar mbi idenë e saj për qeverisjen.

Edhe nëse kjo do t’i mundësohet dhe të bëhet kryeministre, ai plan do të hidhet poshtë dhe do të vazhdohet me avazin e vjetër të qeverisjes “institucionale” të LDK-së e cila i jep fuqi burrave. Këta burra të LDK-së që mendojnë se kandidimi i një gruaje do të rregullojë gjithçka që ata e kanë dështuar në qeverisje, është vetëm një tregues tjetër sesi “LDK-në e ka marrë lumi”.

Kjo shprehje i shkon LDK-së sepse ka vendosur që të përdorë gruan për të përfituar në elektorat. Dhe për t’i shkaktuar probleme Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit që të bëhet kryeministër. Me këtë kandidaturë, burrat e LDK-së e përdorin Vjosa Osmanin, si një mjet për të kërkuar më shumë pjesë nga torta e koalicionit dhe qeverisjes së mundshme me VV-në. Në të njëjtën kohë, edhe mund ta ndajë votuesin mes dy partive dhe partive të tjera, duke e pamundësuar që të kemi një koalicion fitues me shumicë votash.

Pra askush të mos jetë fitues, në mënyrë që burrat e LDK-së të rrisin sa më shumë pazarin e pushtetit, kur negociatat pas përfundimit të zgjedhjeve të nisin mes tyre dhe partive të tjera. është zhgënjyese sesi vet Osmani e ka pranuar këtë pazar, vendosjen e vetës si mjet për t’i ndihmuar partisë, e jo për ta përdorur partinë si mjet për t’i ndihmuar zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit. Megjithatë fakti që ajo po e përdorë gjininë si një plus, në këto zgjedhje tregon se ajo është e vetëdijshme se është një “vegël e partisë”, por i konvenon. Ambiciet janë më të forta.

Fakti i tretë: Prurjet e Vjosës

Fakti i tretë për Lumin Vjosa është se ky është një nga lumenjt që ka më së shumti prurje të ujit nga lumenjtë në Shqipëri. Politkanja Vjosa Osmani është deputetja që ka prurje më së shumti të votave. Pra është deputetja më e votuar, por këtë fuqi nuk e ka përdorur për të ndryshuar partinë e saj. Ose për të dalur krejt nga partia.

Në një postim të sajin të vitit 2016, Vjosa Osmani i referohet Isa Mustafa si një kryetar që ka shumë hijena.

“Nëse asgjë tjetër, deri tani, karshi sulmeve e linçimeve të tij (dhe hienave të tij), nuk kam reaguar shpesh për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur, besimit që (gabimisht) kam pasur në të, por edhe për shkak të moshës që ka. Por MJAFT është MJAFT”, kishte shkruar Vjosa.

Mustafa vazhdon të rrethohet nga të njëjtat “hiena” dhe përkundër kësaj, besimi i Osmanit është kthyer tek Mustafa. Një feminsite e cila për vite me radhë do të sulmohej nga hienat nuk do të lejonte që të marrë aminin e tyre për t’u kandiduar për kryeministre. E as për ta proklamuar vetën si një “rast historik” i kosovarëve që të zgjedhin një grua në postin e kryeministrit.

Kosovarët nuk votojnë për kryeministre, votojnë për deputetë. Parlamenti do të jetë plot me burra dhe me 30% gra, aq sa edhe është obligim kushtetues. Pra Vjosa nuk është një feminsite. Së paku unë se kam parë ndonjë aktivizëm të saj feminist. Por edhe nëse është një feministe e pa ekspozuar, sërish, gjinia nuk është asgjë. Gjinia nuk luan asnjë rol në aftësinë e dikujt për të qeverisur.

E kemi parë sesi zgjedhja e një gruaje si presidente e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka dhënë rezultat, përpos një imazhi më të mirë ndërkombëtarë. Por ne nuk kemi nevojë për një kryeministre “cute” nëpër konferenca ndërkombëtare, por për një kryeministre që shkëlqen në vendin e saj. Nëse Jahjaga nuk ju mjafton, shikoni tek Serbia, ku kryeministre është një grua lezbike. E para në Evropë me një post të tillë. Por a është Serbia një parajsë për komunitetin LGBT atje? JO. Përkundrazi, ky komunitet vazhdon të sulmohet ende dhe homofobia vazhdon të jetë tepër e lartë në Serbi.

Andaj loja “gjinore” e LDK-së nuk është asgjë tjetër se një farsë e cila do të propagandohet si një betejë e kosovarëve për të treguar se “një grua mundet ta udhëheqë Qeverinë”. Përpara se ne ta dëshmojmë këtë, duhet ta dëshmojmë një gjë tjetër: që nuk i vrasin gratë./Insajderi.com