Më shumë se 1 muaj pas emërimit të ministrit të ri të Brendshëm, Ekrem Mustafa, Kosova dështoi për tu anëtarësuar në INTERPOL.
Në organizatën më të madhe të Policisë Ndërkombëtare, Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme as pas dy raundeve.
Në Dubai, vendin ku u mbajt Asambleja e Interpolit ishte ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq. Por përballë nuk e kishte homologun e tij nga Kosova.
Ekrem Mustafa që më vonë u kuptua se është në mesin e ministrave me aktakuza, nuk ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë Asamble, shkruan Gazeta Insajderi.
Atje rolin kryesor e kishte shefi i partisë së Mustafës, Behgjet Pacolli, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj dhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, këshilltari i ministrit, Kastriot Muçolli ka thënë se vendimi që Ekrem Mustafa të mos shkojë në Dubai, ka qenë dakordim i delegacionit të Kosovës.
“Në nivel qeveritar ka qenë dakordim që delegacioni i Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Dubai mos të ketë karakter politik por të jetë i natyrës policore-teknike”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Insajderin.
Por vetë Mustafa ditë më parë e kishte vlerësuar anëtarësimin në INTERPOL si prioritet.
“Anëtarësimi në INTERPOL, lufta e krimit dhe korrupsionit, zbatimi i MSA-së do të jenë prioritetet e mia”, kishte thënë Mustafa.
Ndërkohë, burime të Insajderit kanë thënë se ministri Mustafa nuk është lejuar të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe për shkak se ai ka një aktakuzë të ngritur për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”.
Në aktakuzë thuhet se para katër vitesh, në vitin 2014, Mustafa nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve. Rasti kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez.
Lëndime trupore të rënda sipas aktakuzës kanë pësuar dy persona, ndërsa një tjetër lëndime më të lehta. Po ashtu janë shkaktuar edhe dëme materiale të veturave të përfshira në aksident.
Emërimi i Mustafës si ministër i Brendshëm do të mbahet mend edhe për një arsye tjetër. Deri te kjo pozitë, nënkryetari i AKR-së në Ferizaj erdhi pas shantazheve të deputetit-këngëtar, Labinot Tahiri.
Ky i fundit kishte kërcënuar se nuk do ta përkrahte qeverinë ku partia e tij ka disa ministri, nëse ndonjë person nga Ferizaj nuk emërohet ministër.
Menjëherë pasi mori këtë detyrë, Mustafa pastaj filloi me rehatimin e njerëzve të afërt me këngëtarin Tahiri.
Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar se këshilltarë të ministrit të brendshëm janë emëruar Jetmir Tahiri dhe Agim Sinani.
Njëri kushëri i këngëtarit, e tjetri kitarist në bendin e tij gjatë aktiviteteve muzikore.
Ndryshe Kosova pas dy raundeve nuk arriti që të marrë votat e mjaftueshme për tu bërë pjesë e INTERPOL-it.
Madje shumë deputetë pas këtij vendimi, kërkuan edhe dorëheqjen e qeverisë Haradinaj. /Insajderi.com