Vetura Polo nuk është më, as kursimet nuk janë më. Arbana Xharra ish-këshilltarja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit ka pësuar disa ndryshime në pasurinë e saj, raporton Insajderi.
Sipas deklarimeve të këtij viti dhe vitit të kaluar që Xharra i ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ajo ka mbetur pa veturën e saj Polo si dhe kursimet e saj i janë zvogëluar.
Në vitin e kaluara Xharra kishte deklaruar se posedonte veturë të tipit Polo si dhe kursime të saj dhe të bashkëshortit, vlera e të cilave arrinte shumën prej 10 mijë e 267 eurove.
Xharra kishte deklaruar se mbante në bankë 3 mijë e 967 euro, prej të cilave 2 mijë e 500 kishte thënë se i takojnë djalit të saj që kishte luajtur në filmin “Aga”. Paratë e tjera Xharra i kishte deklaruar se janë të bashkëshortit të saj.
(Deklarimi në vitin 2017)
Por një vit më vonë këto para nuk janë më aty, ato kanë marrë rrugëtim tjetër. Në deklarimin e këtij viti Xharra ka deklaruar se në bankë ka vetëm 510 euro ndërsa bashkëshorti i saj 380 euro. Në total 890 euro që i bije 9 mijë e 377 euro më pak.
(Deklarimi në vitin 2017)
Xharra ishte akuzuar javë më parë nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili kishte thënë se këshilltarja e Veselit po paguhet edhe pse nuk gjendet tash e disa muaj në Kosovë.
“Ka 5 muaj që vazhdon të merr pagë dhe nuk është në Kosovë. Pra, të ardhurat mujore ku përshihet paga bazë, shujta… nxjerr përfundimisht se asnjëri s’e ka pagën nën 1800”, kishte thënë Selmanaj.
Më pas në një reagim Xharra i kishte quajtur si të pabaza akuzat e Selmanajt. Ajo kishte thënë se gjatë periudhës sa nuk është në Kosovë e ka pezulluar punën si këshilltare e Veselit. Sapo të kthehet në Kosovë kishte thënë se do të angazhohet përsëri./Insajderi.com