Kuburoviq: Serbia nuk është e kyçur në punën e Gjykatës Speciale

Ministrja serbe e drejtësisë Nela Kuburoviq ka deklaruar se Serbia në asnjë mënyrë nuk është përfshirë në punën e Gjykatës Speciale, “mirëpo nëse kërkohet prej saj, ajo do të merr pjesë”.

Kuburoviq: Serbia nuk është e kyçur në punën e Gjykatës Speciale

Ajo në konferencë për gazetarë së bashku me ministrin e brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq ka thënë se autoritetet kosovare me Kushtetutën dhe ligjet e tyre janë obliguar që do të bashkëpunojnë me BE-në në procedimin e ish anëtarëve të UÇK-së të cilët dyshohen për krime.

“Tashmë me vite presim t’i shohim këta persona të akuzuar”, ka thënë ministrja serbe. Ajo ka shtuar se Serbia është e gatshme të dërgojë “prova të nevojshme”, si dhe t’i mbrojë dëshmitarët të cilët gjenden në Serbi, nëse ata dëshirojnë të dëshmojnë në ato gjykime.

Duke folur për bashkëpunimin me Kosovën në lidhje me hetimet mbi vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDD Olive Ivanoviq, ministrja ka pretenduar se Kosova i ka paraqitur tetë kërkesa Serbisë gjatë hetimeve dhe se “të gjitha këto kërkesa janë plotësuar”.

Ministri i policisë Nebojsha Stefanoviq ka thënë se Serbia ka marrë prej Kosovës kopjet plastike të gëzhojave të plumbave me të cilat është vrarë Ivanoviqi.

“A janë të besueshëm këto klone dhe a mjaftojnë, kush e di? Ne gjithmonë kemi insistuar t’i marrim ato çfarë janë gjetur në vendin e krimit”, ka thënë Stefanoviq, duke shtuar se “bashkëpunimi me Prishtinë dhe EULEX-in nuk ishte serioz”./Insajderi.com.