Kuçi: Dhuna e përdorur sot i shërben Kurtit për t’i heshtur kundërshtarët politikë

Kuçi: Dhuna e përdorur sot i shërben Kurtit për t’i heshtur kundërshtarët politikë

Arrestimi i liderit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, dhe aktivistëve të tjerë, është bërë për t’i shërbyer kryeministrit Albin Kurti që “t’i heshtë kundërshtarët politikë, sipas zëdhënëses së PSD-së, Natyra Kuçi.

Sipas saj, ideja e këtyre arrestimeve “është që të frikësohen kundërshtarët politikë”, transmeton Insajderi.

“Është dhunë që i shërben dhe konvenon narrativës së Kurtit për ruajtjen e rendit dhe disiplinimin e kundërshtarëve politikë. Pamë që sa më e ndjeshme është tema aq më e madhe është dhuna e ushtruar karshi kundërshtarëve të tyre që në këtë rast ishin aktivistët e PSD-së”, u shpreh ajo në Klan Kosova.

Kuçi njoftoi se janë liruar të gjithë aktivistët e kësaj partie që janë arrestuar në aksionin e së premtes, përpos Molliqajt, të cilit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Ne kemi pritur që Dardani të lirohet sikur të gjithë aktivistët e tjerë, pasi ky aksion ishte vetëm shprehje e pakënaqësisë dhe kundërshtimit për tarifën të cilën e quajtëm “tiketa e pabarazisë” dhe “tiketa e monopolit”. S

i duket ka filluar faza e përndjekjes të kundërshtarëve politikë të Kurtit dhe kjo ndodhi me temën që është më e ndjeshmja për ta – doli që Kurti jo që nuk po i zhbën monopolet që kanë qenë, por po krijon monopole të reja”.

Partia Socialdemokrate ndërmori një aksion mesditën e së premtes në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar nënshkrimin e kontratës për “tiketat ngjitëse”.

Sipas kësaj kontrate, nga 1 shtatori qytetarët janë të obliguar të paguajnë nga 4 euro e 90 cent kur bëjnë regjistrimin e veturës.

Dhjetëra vetura zyrtare janë mbuluar me mbishkrime “Zhvatës” nga aktivistë të PSD-së.

Në këtë aksion është arrestuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, anëtarët, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi.

Mënyra e arrestimit të tyre ka ngjallur reagime të shumta nga deputetë e analistë./Insajderi.com