Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke investuar në Dhomën e Përgjimeve në Telekomin e Kosovës, transmeton Insajderi.
Siç bën të ditur ministri, dy projektet për investimin në pajisje, shërbime dhe në Dhomën e Përgjimeve, kushtojnë rreth 4.2 milionë euro.
“Procesi i pajisjeve dhe shërbimeve të tjera që kanë të bëjnë me implementim bashkë me Dhomën e Përgjimeve është një projekt që është i përbashkët, është diku rreth 4.2 milionë euro. Këto dy projekte të cilat bashkë me procesin e mirëmbajtjes në të ardhmen. Ne jemi duke investuar në pajisje të cilat i mundësojnë nesër me performu më mirë”, ka thënë tutje Kuçi në një intervistë përballë Jeta Xharrës.
Më tej ai ka thënë se përgjimet janë duke ndodhur por ky investim ka të bëjë me familjarizimin dhe harmonizimin e instrumenteve të përgjimeve me Policinë dhe AKI-në.
“Sa për informatën tuaj, për herë të parë Telekomi në muajt e fundit ka performuar pozitivisht, i kanë ulë shpenzimet dhe i kanë rritur të hyrat. Pagat po ulen gradualisht, do të ketë një strukturim të dhimbshëm. Ka pasur punëtorë që fare nuk kanë shkuar në punë. Nuk ka me pas punësime të reja”, ka thënë ministri Kuçi. /Insajderi.com