Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka folur në Kuvendin e Kosovës lidhur me gjendjen me Telekomin e Kosovës pas ngrirjes dhe zbrazjes së llogarive si pasojë e prishjes së marrëveshje me Dardafon.
Kuçi ka thënë se ka bërë përpjekje të pandalshme për të evituar këtë situatë.
Ai tha se ka pasur takim edhe me menaxhmentin e Dardafon, bordin e Telekomit, kryetarin e Gjykatës së Apelit, e kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se nuk është gjetur marrëveshja deri tani, por tha se shteti duhet t’ju dalë zot 2315 punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.
“Janë 2315 punëtorë që marrin pagë. Pa marrë parasysh se si janë punësuar, ne duhet tash që t’u dalim zot. Gjithçka që tash ka ndodhur me Telekomin, ka një histori të gjatë dhe të njohur. Që nga fillimi i mandatit i Ministrisë…. jam marrë me Telekomin”, ka thënë Kuçi.
“Bllokimi i llogarive nga gjykata Themelore, na ka nxjerr në një pozitë tjetër. Ne jemi të obliguar që të gjejmë një zgjidhje të shpejtë”, tha ai.