
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka besim që Gjykata e Apelit do të marrë një vendim që ai e ka quajtur korrekt ndaj bashkpartiakut nga PDK, Sami Lushtaku.
Duke folur në cilësinë e ministrit, Kuçi në emisionin “Republika” ka folur edhe për parimet që i takojnë një gjyqtari kur e dënon dikë, duke iu referuar në mënyrë specifike rastit të Sami Lushtakut.
“Gjykata e Apelit besoj se do ta marrë vendimin korrekt. Ne nuk ndërhyjmë në vendimin e gjykatave por duhet ti kemi dy çështje të qarta: gjyqtari vendos në bazë të ligjit dhe provave dhe bindjes së tij të lirë. Por gjyqtari e ka edhe një obligim, duhet ta bind edhe opinionin publik, pra ky është parimi i publicitetit, t’i bind edhe qytetarët se vendimi i tij është i drejtë”, ka thënë Kuçi, raporton Insajderi.
Ai gjithashtu ka thënë se po të mos ishte ministër i Drejtësisë do të fliste shumë gjëra për rastin e Sami Lushtakut. Lushtaku edhe pse i burgosur ruan ende pozitën e kryetarit të Skenderajt dhe lidhjet e forta me Qeverinë i kanë shkaktuar edhe probleme duke e kthyer në burg.
“Nuk dua të hy në rastin konkret sepse jam ministër i Drejtësisë ende, mos me qenë ministër i Drejtësisë kisha fol më shumë, por nuk ka askund aktgjykim që mund të jetë pa prova. Nuk ka kurrkund në botë, që mund të ketë vrasje pa u identifikuar personi dhe pa u konstatuar që ka ndodhur nga ai”, ka thënë Kuçi.
Por më vonë ka folur edhe në cilësinë e juristit.
“S’po lidhem me emra konkret por për aq sa kam lexu nëpër gazeta, po e them si jurist jo si ministër i drejtësisë, bukur absurd është ai rast”, ka përfunduar Kuçi./Insajderi.com