Kujt po i pëlqen platforma e Veselit për unitet politik?

Kujt po i pëlqen platforma e Veselit për unitet politik?

Kryetari i PDK-së, i cili njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka prezantuar platformën për unitet politik të cilën ua ka dërguar partive politike. Aty janë cekur një sërë temash, të cilat Veseli i ka cilësuar si prioritet.

Për dallim nga LDK-ja, e cila këtë platformë të Veselit e ka quajtur pafuqi politike, është kryeministri Haradinaj, si partner qeveritar që e ka mirëpritur atë.

Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se mirëpret mundësinë e koordinimit të të gjithë spektrit politik për tema të interesit nacional.

Haradinaj këto komente i bëri pas shpalosjes nga kryetari i Kuvendit Kadri Vesli të një Platforme , që e ka quajtur konsensuale dhe gjithëpërfshirëse për agjendën shtetërore në Republikën e Kosovës.

“E mirëpresim mundësinë që me u koordinu ma shumë i gjithë spektri politik për tema të interesit nacional. Është diçka mëse e nevojshme”, tha Haradinaj, duke shtuar se iu ka dërguar një letër redaktorëve të mediave, ku ka kërkuar që rrugëtimi deri në liberalizimin e vizave të ndihmohet nga të gjithë për hir të qytetarëve dhe të të drejtës së lëvizjes së lirë.

Ndryshe, Kadri, Veseli kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka shpalosur një Platformë, që e ka quajtur konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës, duke përfshirë çështjet si Forcat e Armatosura të Kosovës, proceset integruese, dialogun me Serbinë, etj.

Këtë Platformë ia ka dërguar krerëve të partive, Isa Mustafës së LDK-së, Albin Kurtit të VV-së, Ramush Haradinajt të AAK-së, Fatmir Limajt të Nismës, Behgjet Pacollit të AKR-së dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur në Kuvendin e Kosovës këtë platformë.