Deputeti Kujtim Gashi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky subjekt politik nuk do ta votojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të propozuar nga koalicioni qeverisës, transmeton Insajderi.
Sipas tij ligji i propozuar nga PDK, ishte më i favorshmi për qytetarët, ndërsa dhe është injoruar vazhdimisht nga të dy qeveritë, me në krye Albin Kurtin e tashmë Avdullah Hotin.
”Një qeveri për të qenë stabile dhe për të ekzistuar në kushte normale, duhet t’i ketë votat. Dhe një qeveri normale s’duhet të jetë e varur nga votat e opozitës”.
”Ky Ligj i propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, është injoruar nga të dy subjektet politike, nga të dy qeveritë, edhe nga Qeveria Hoti edhe nga Qeveria Kurti”.
”Për ironi, duke injoruar këtë Ligj, Hoti sjell një tjetër Ligj i cili gjithçka tjetër mund të jetë veçse për rimëkëmbje ekonomike jo”, ka thënë ai në Klan Kosova.
”Ne jemi tërësisht kundër këtij ligji. Sepse ky ligj nuk e rimëkëmb ekonominë e vendit. Ligji që ndihmon sektorin privat, mjekët, e të gjithë ata që sot përballen me pandeminë, është Ligji i propozuar nga PDK. Jemi që edhe në kuadër të Ligjit tonë të harmonizohen pika nga ky ligj i tyre i propozuar”, është shprehur tutje Gashi në Info Magazine.
Gashi dha edhe disa arsye se pse nuk e votojnë këtë ligj.
”Ky ligj e fut në borxh biznesin. Sepse ti nëse ia mundëson me marrë kredi dikujt, nuk e ke ndihmuar. Prandaj pakoja që e ka propozuar PDK-ja ka grante më të mira për secilën prej tyre. PDK përmes këtij biznesi ka mundësuar që shteti të ndihmojë me grante”, ka thënë më tej ai. /Insajderi.com