Dardan Zhegrova, për secilën prej kukullave, ka në mendje një njeri dhe ndjenjat për atë njeri. Kukullat nisën fillimisht me të verdhë, dhe vazhduan me ngjyra kafe, të bardhë, argjendtë, kaltër, pink dhe ngjyrë ari.
Tri kukulla të artistit që para pak kohësh fitoi çmimin “Artistët e së nesërmes” – në bashkëpunim me artisten Lola Sylaj, janë pjesë e Art Basel Liste 2017. Art Basel është Panair Arti në të cilin Zhegrova po paraqitet me punët e tij, në kuadër të LISTE – një prej ngjarjeve që ndodhë paralelisht brenda Panairit.
Kukullat kanë nisur si ide në vitin 2015-të, si një përkthim fizik i ndjenjave të artistit.
“Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur të prezantoj punën time në një ndër Panairet e Artit më të përfolura në Evropë. Personalisht është ndjenjë e veçantë që poezitë dhe instalacionet shumë intime e personale të miat janë tashmë publike dhe audienca mundet me qenë pjesë e me bashkëndje me to” tregon artisti për KultPlus.
Kukullat e tij janë ekspozuar nga Lambdalambdalambda – galeria nga Prishtina e cila bashkëpunon prej kohësh me artistin. Zhegrova ka tri kukulla në Basel, atje ku ato presin edhe të blihen nga artadashësit që e vizitojnë panairin.
Ngjyrat e kukullave përfaqësojnë simbolika të ndryshme.
Kukulla flori, ngjyrë ari, i kushtohet një çifti dhe veprimeve të njërit kur një i tretë lidhet në këtë shoqëri, por me një shkëndijë dashurie. E kaltra merret me takimet që ndodhin online, me anë të aplikacioneve për takime me njerëz të ndryshëm. Kukulla e argjendtë, në anën tjetër, është dedikim për një person, ndërsa ngjyra vjen si totem në këtë udhëtim ku nuk ka asnjëherë ndalesë për të gjetur dashurinë.
“Krejt njerëzit e kemi brenda dashurinë për njëri tjetrin dhe romantizmin e momenteve kur reflekton ndjenjat për një person të caktuar. Falënderoj Katharina Schendl dhe Isabella Anna –Maria Ritter për punën dhe mbështetjen, ka dy vite që jemi në bashkëpunim dhe kuptohemi mirë me njëri-tjetrin” tregon artisti.
Tatjana Danneberg dhe Hanne Lippard janë dy artistet tjera që përfaqësohen nga e njëjta galeri dhe janë pjesë e këtij Panairi. / KultPlus.com