Kumnova thirrje Thaçit: Mos i amnistoni krimet serbe

Kumnova thirrje Thaçit: Mos i amnistoni krimet serbe

Nysrete Kumnova i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos amnistohen krimet e luftës.

Në Ditën e të Pagjeturve dhe me rastin e masakrës së Mejes, Kumnova ka thënë se kjo është një ditë e rëndë për të gjithë familjarët e viktimave dhe atyre të të pagjeturve.

“Është një ditë e vështirë, datat e caktuara janë shumë të vështira për familjen, dhe sot është një ditë e rëndë. Për mua nuk ka ndryshuar asgjë që 21 vjet, sepse kam vrapuar gjithkund nëpër botë, në institucione shtetërore të Kosovës, nëpër takime, kam marrë pjesë nëpër varrime. Ky 21 vjet ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e rëndë për një nënë që i mungon djali i vetëm Albioni”, ka thënë Kumnova në KTV.

Ajo thotë se secilës Qeveri ia kanë shprehur brengat që kanë, megjithatë thekson se ka pasur vetëm premtime boshe dhe s’është punuar në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Me t’u formuar Qeveria e re si çdoherë jam një nënë që çdo qeveri që formohet rri e gatshme që t’iu trokas në derë, edhe pse të gjitha qeveritë janë të njoftuara për brengat tona. Asnjë qeveri ndoshta nuk na ka kuptuar drejtë, na kanë premtuar gjithmonë se do të bëjnë më shumë, por ja që fatkeqësisht zbardhja e fatit të të pagjeturve është numra”, ka thënë Kumnova.

Kumnova shton se kanë pritur jetë më të mirë pas luftës, porse ende vazhdojnë të jetojnë në ankth.

“Pasi që edhe institucionet e Kosovës janë të përçarë ndërmjet veti dhe po përplasen për karriget e veta dhe për popullin nuk janë të interesuar që të jetojnë ashtu siç duhet. Pas luftës kemi menduar se së paku ata që kemi shpëtuar do ta kenë jetën më të lumtur, kështu që të gjithë ata që janë të gëzuar dhe ne që po presim në ankth asnjë mbështetje por po jetojmë në ankth, në vuajtje, në pritje dhe vetëm duke trokitur në çdo derë të institucioneve vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Kumnova.

Kumnova ka shtuar gjithashtu se përçarja politike i ka lënë në rrugë çorre.

“Ne jemi takuar me kryeministrin e sapo zgjedhur Kurti, i cili brengat tona i dinë, është i njoftuar shumë mirë sepse kemi organizuar protesta së bashku dhe nuk kishte nevojë që t’ia shpjegojmë, megjithatë e kemi takuar 2-3 herë dhe na ka premtuar se do të bëjë më shumë në çështjen e të pagjeturve. Ai na ka premtuar se do të udhëheqë bisedimet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por fatkeqësisht përçarja e krerëve politikë, e kjo çështje nuk duhet të politizohet dhe fatkeqësisht përçarja politike na ka lënë në rrugë çorre”, ka thënë ajo.

E ajo është e zhgënjyer edhe me ndërkombëtarët.

“Edhe nga ndërkombëtarët kemi mjaft premtime që do të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por unë si nënë po e shoh se e njëjta situatë është si te ndërkombëtarët ashtu edhe te vendorët, vetëm premtime e rezultate nuk ka. Mjerisht nuk po na kuptojnë se jeta në ankth është shumë e vështirë edhe pse janë bërë 21 vjet mendojnë të gjithë se ndoshta e kanë më lehtë se kohëzgjatja vjen tuj ta lehtësuar plagën ose duke ta shëruar, por për neve është e njëjtë. Shpesh e kujtoj thënien e të ndjerit Esat Stavileci ‘Bie me fjetë e s’më merr gjumi, çohemi nga gjumi por s’kemi fjetur më parë’. Me e bërë një natë gjumë me këto familje shpresoj se do të ishte bërë më shumë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se s’është ndalur asnjëherë duke i kërkuar të pagjeturit.

“Asnjëherë nuk jam ulë duke i kërkuar të gjithë të pagjeturit, nuk e kam dalluar Albionin prej të tjerëve, por tash kam filluar ta kërkoj atë, sepse ai mbahet peng nga pushteti i Serbisë”, ka thënë ajo. “I gjithë grupi është kthyer, kurse vetëm Albioni mbahet peng nga grupi që është marrë me Albionin, dhe kjo është shumë e dhimbshme”.

Kumnova i ka bërë thirrje presidentit Thaçi që të mos amnistojë krimet e luftës.

“Jemi demoralizuar shumë edhe për fjalimin e presidentit Thaçi, i cili thotë se ne tash do të amnistojmë, do të lëmë me kaq sa janë gjetë janë gjetë dhe me kaq më nuk do të kërkojmë dhe do t’i ndreqim marrëdhëniet me Serbinë, kjo është shumë e dhimbshme. I bëj thirrje presidentit Thaçi që nuk ka të drejtë që pa u mbyllur plaga e më të dashurve tanë, që të kthehen të gjithë nga Serbia, se nuk e kanë vendin në Serbi. Këta duhet të kthehen në vendlindjen e vet dhe të varrosen me nderë ashtu siç kanë qenë të ndershëm dhe kanë shkuar të ndershëm. Kërkojmë që kriminelët të kërkojnë falje për krimet që i kanë bërë dhe të paguajnë dëmet e luftës dhe të gjithë kriminelët të dënohen dhe të marrin dënimin e merituar. Nuk ka të drejtë presidenti Thaçi, që në emër të familjarëve me i falë fëmijët tanë, zoti do ta dënojë nëse këtë e bënë”, ka thënë Kumnova.   /Insajderi.com