Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi për media ka treguar arsyet e tij se pse ka vendosur ndryshe nga “Vetëvendosje” e “Nisma për Kosovën”.
Vendimi i tij për të shkuar në takimin e thirrur nga Presidentja Atifete Jahjaga është kritikuar nga Driton Çaushi, nënkryetar i “Vetëvendosje”. Çaushi ka vlerësuar se Haradinaj po flirton me Thaçin e Mustafën.
Ndërkaq, Haradinaj, në sqarimin e tij, ka shënuar se kritikat ndaj tij janë të ngutshme ose me agjendë. Kritikat i ka cilësuar si ‘vlerësime të individëve’.
Ka shtuar se udhëheqësit opozitarë nuk duhet të izolohen por duhet të kërkojnë shtigje për të depërtuar drejt gjetjës së zgjidhjes.
“Vlerësoj se izolimi i udhëheqësve opozitarë, nënkupton izolim nga kauza e drejtë e opozitës, e cila duhet të depërtojë çdo kund, duke përfshirë edhe qarqet ndërkombëtare. Ndërkaq vlerësimet e individëve për qëndrimin tim dhe të AAK-së, në raport me ketë tryezë, i konsideroj ose të ngutshme, ose me agjendë”, ka shënuar Haradinaj.
Ai, po ashtu, ka shënuar se arsyeja e parë për pranimin e ftesës është fakti që qëndrimi i opozitës duhet të prezantohet para Presidentes.
Si arsye të dytë ka përmendur kërkesën e tij për shpërndarjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
Arsye tjetër ka përmendur se është kërkesa për zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejt nga populli.
“ Do t’i njoftoj akteret e kësaj tryeze se Opozita e bashkuar është e vendosur ta vazhdojë kundërshtimin politik e qytetar deri në përgjigje pozitive për këto kërkesa”, ka thënë Haradinaj duke shtuar se pavarësisht kritikave partia e tij mbetet e palëkundur në frontin e përbashkët opozitarë.