Kundërshtarët e marrëveshjes së Prespës dhe Ohrit hyjnë në listën e zezë të Amerikës

Kundërshtarët e marrëveshjes së Prespës dhe Ohrit hyjnë në listën e zezë të Amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden ka nënshkruan Urdhrin Ekzekutiv që zgjeron fushën e masave emergjente në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ngrirjen e pronave dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe pengojnë zbatimin e tyre duke minuar paqen dhe bashkëpunimin rajonal.

Urdhri parashikon sanksionimin e çdo personi të cilin Departamenti i Thesarit të Shtetit, në konsultim me Departamentin e Shtetit, përcakton se është “përgjegjës ose bashkëpunëtor, i përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në aktivitete ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë ose stabilitetin”  ose “integritetin territorial të ndonjë rajoni ose vendi në Ballkanin Perëndimor dhe minon proceset demokratike dhe institucionet në rajon”.

“Këta janë persona që janë përgjegjës ose të përfshirë, drejtpërdrejt ose indirekt, në një aktivitet që ndërhyn ose kërcënon zbatimin e çdo marrëveshje rajonale të sigurisë, paqes ose bashkëpunimit ose marrëveshje kornizë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, Marrëveshjen  Kornizë të Ohrit të vitit 2001, Rezolutën 1244 të KB, Marrëveshjet e Dejtonit…” shkruan në urdhërin e Bidenit.

Sipas urdhrit, rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të respektojë konstatimet e Përfaqësuesit të Lartë dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë.

Dënimet do të përfshinin gjithashtu ata që janë përgjegjës për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut” dhe përfshirje në korrupsion në rajon, duke përfshirë përvetësimin, tjetërsimin e pronës private për përfitime personale ose për qëllime politike dhe ryshfet.

“Rregullorja parashikon gjithashtu sanksionimin e aktorëve të përfshirë në shkelje ose aktivitete që pengojnë ose rrezikojnë zbatimin e çdo marrëveshjeje mbi sigurinë rajonale, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke, kornizën ose mekanizmin në lidhje me Ballkanin Perëndimor” qëndron në këtë urdhër.

Personave që plotësojnë një ose më shumë prej këtyre kritereve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara sepse është në kundërshtim me interesat amerikane. Presidenti Biden udhëzon Sekretarin e Shtetit të zbatojë këtë urdhër, në fushën e lëshimit të vizave të hyrjes në Shtetet e Bashkuara, si dhe Sekretarin e Sigurisë Kombëtare. /Insajderi.com