Kundërthëniet për paraqitjen e Kurtit në Bruksel

Kundërthëniet për paraqitjen e Kurtit në Bruksel

Pushteti dhe Opozita në Kosovë kanë vlerësime diametralisht të kundërta për sa i përket përformancës së kryeministrit Albin Kurti në dialogun e Brukselit.

Përderisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se Kurti, kishte “një paraqitje dinjitoze në qendrën e Bashkimit Evropian”, – njëjtë nuk po mendojnë nga opozita.

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi për Gazetën Online Insajderi se “Kurti nuk kishte vizion e as strategji në dialog”.

Si rezultat i kësaj “Kosovës mund t’i vazhdohet status quo”, nga prizmi i Deliut “diçka e dëmshme për Kosovën dhe qytetarët”.

“Është një paqartësi e madhe se cila do të jetë qasja e Kurtit në dialogun me Serbinë”, tha Deliu.

Qasja e Kurtit në tryezën e Brukselit, ka qenë që t’i vendoste kushte presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Por, këtu e sheh “dështimin” deputetja tjetër opozitare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj. Saktësisht te renditja e këtyre kushteve.

Pohon se “njohja reciproke” është dashur të jetë pika kryesore në bisedime me Serbinë.

“Tema e vetme është dashur që të jetë njohja për shkak se Josep Borrell do të takohej me presidentin amerikan Joe Biden e kështu do të duhej t’i raportohej atij”, deklaroi Kadriaj për Insajderin.

Pikërisht, dialogu u mbikëqyrë nga Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrel, si dhe i dërguari Special i këtij Unioni për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak e Borrell pohuan se biseda ishte e vështirë – të njëjtën e konstatoi edhe njeriu më i pushtetshëm në Serbi, Aleksandër Vuçiq.

Ky i fundit, ka thënë se i ishte përgjigjur “Kurrë”, Kurtit, kur e kishte pyetur se “kur do ta njohin Kosovën”.

Pastaj, Kurti “ka shpërthyer”, përshkruan Vuçiq.

“JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE”

Në ditën kur kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, u takua me presidentin serb – opozita përmendte grafitet e Lëvizjes Vetëvendosje “JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE”.

Nga viti 2005 në rrugë e pastaj rrugës iu shtua edhe Kuvendi si vend për të kundërshtuar mënyrën sesi “establishmenti i vjetër”, sipas Kurtit “keq-orientonte dialogun”.

Deklaratat e mëhershme të Kurtit janë bërë tash cak i kritikës së opozitës në drejtim të tij.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, javën e kaluar tha në Parlament se “Kurti po takohet me Vuçiqin pa kërkuar falje”.

Gati e njëjta retorikë po përdoret edhe nga PDK e AAK.

Opozita po pretendon se Kurti “ka ndryshuar qëndrimet”, si dhe “po përdor dialogun për konsum të brendshëm”.

Kemi ndryshuar strategji, jo qëllime

Kjo është një nga fjalitë e Kurtit të cilat i përmend sa herë pyetet për “evolimin e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Tash, kryeministri i Kosovës thotë se nuk kanë hequr dorë nga qëllimet fondamentale të VV-së.

Këtë e ripërmendi edhe më 12 qershor, datë kur tashmë partia më e madhe në vend feston themelimin si lëvizje, pasi si parti u regjistrua pesë vite më vonë.

Por, Kurti vazhdon të akuzojë pushtetet e kaluara për “dialogun e keq”.

Kreu i Ekzekutivit në diskutimet me deputetët opozitarë pretendon se “do të rregullojë gabimet e kaluara”.

Nga opozita mendojnë se është koha “kryeministri të merret me aktualen”, e tashmja ia ka rezervuar Kurtit pushtetin.

Shumë vite dialog, por sa rezultate?

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e dialogut teknik me Serbinë, vlerëson si “të dobët” e “inferiore” paraqitjen e Albin Kurtit më 15 qershor.

“Nuk ishte i përgatitur fare, nuk paraqiti asnjë platformë në parlament, me arsyetimin se do të jetë një njohje. Nuk ka çfarë të njohësh në këtë proces, pasi dihet se Vuçiqi kush është, është krahu i djathtë i Millosheviqit”, ka thënë Tahiri”, ka thënë Tahiri ne KTV.

Pos Brukselit, Kosova dhe Serbia kanë dialoguar në shtator të vitit të kaluar edhe në Uashington.

Një marrëveshje ekonomike ishte arritur në kryeqendrën amerikane, nën ndërmjetësimin e Richard Grenell, atëherë i dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump.

Kjo marrëveshje nuk është se vlen shumë për emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në Euronews kishte thënë se “gjithçka mund të zgjidhet ne Bruksel”.

Në kryeqytetin e Bashkimit Evropian për muajin korrik është paraparë një takim ndërmjet Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit.

Nga deklarata e dhëna kjo ishte e vetmja gjë në të cilën krerët e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan. /Insajderi.com