Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, ka deklaruar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se familja presidenciale e Kosovës, Osmani-Sadriu, po e “gërryen” buxhetin e varfër të Kosovës me paga super luksoze që e kalojnë shifrën e mbi 70 mijë euro vetëm për 1 vit, shkruan Insajderi.
Por, kësaj deklarate i është përgjigjur këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, duke thënë se ajo e merr pagën e saj vjetore siç është paraparë me ligj.
Ai ka kritikuar deputeten Zejnullahu se po bën deklarata publike pa verifikuar faktet dhe se kjo deklaratë vjen bash në ditën kur Zyra e Presidentes u cilësua si institucioni më transparent në rajon.
“Qëndrimi i deputetes së PDK-së përkoi me ditën kur Raporti rajonal i BIRN-it e nxjerr Zyrën e Presidentes Osmani, institucioni më transparent në Ballkanin Perëndimor. Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor”, ka shkruar ai.
Ai më tej, ka thënë së siç tregon formulari, paga e presidentit paraprak ka qenë e njëjtë me atë të Presidentes Osmani.
Rrjeti Ballkanik i gazetarisë Hulumtuese- BIRN, ka publikuar raportin rajonal vlerësues të transparencës qeveritare dhe llogaridhënies në Ballkanin Perëndimor, në të cilin Zyra e Presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa ajo ishte ushtruese detyre është cilësuar institucioni më transparent në rajon në vitin 2020.
Vlerësimi ka përfshirë institucione nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina./Insajderi.com