“Kur do kthehemi o mami” – lufta e nënës shqiptare për t’i kthyer fëmijët nga Siria

“Kur do kthehemi o mami” – lufta e nënës shqiptare për t’i kthyer fëmijët nga Siria

Një nënë nga Tirana ka mbi pesë vjet që po mundohet t’i kthejë dy fëmijët e saj nga Siria. Në vitin 2014, burri i saj mori vajzën dhe djalin dhe shkoi në Siri për të luftuar në krah të grupit ekstremist Shteti Islamik. Pas disa muajsh, ai u vra dhe fëmijët mbetën vetëm. Tek ta shkoi më pas gjyshja e tyre.

Mide Dumani, në një rrëfim për Radio Evropën e Lirë ka treguar për vuajtjet e saj tash e pesë vite.

“Mi mori fëmijët më tha se do iki për Mal të Zi. Kur erdhi kunati më tha të ka lënë një letër që ka ikur në Siri. Unë jam një nënë e vuajtur që 5 vjet. Unë dhe fëmijët e mijë. Ata edhe me babain kanë qëndruar shumë pak. Ai u vra”, thotë Dumani.

Burri i saj Shkëlzen Dumani u vra më 27 janar të vitit 2014, përkrah grupit militant, Shteti Islamik. Ai kishte marr dy fëmijët dhe kishte ikur në Siri.

Vajza kishte 8 vjet dhe djali 5, kur babai i tyre i kishte marr për t’i dërguar në zonat e luftës. Në Siri tash ata kanë emra arabë. Të dy fëmijët kërkohen nga Interpoli. Tash vajza është 14 vjet ndërsa çuni 12.

“Po si çdo nënë, siç thonë, ku rrinë fëmijët, të rrijë edhe nëna. Mendja gjithmonë është atje, pavarësisht që u bënë 5 vjet këtu. Ata që janë prindër mund ta besojnë këtë që më ka ndodhur mua. Tjetërkush nuk e beson. Vajza është 14, çuni është 12.  Shumë të vogël. Tani (vajza) më thotë kur do të kthehemi o mami? Çfarë bën shteti? Duam të na ndihmoni. Vetëm ndihmë kërkon, nuk kërkon tjetër gjë”, trogon Dumani

Pasi u vra Shkëlzeni, mbi 70 vjeçare shkoi në Siri për tu kujdesur për fëmijët. Ata jetojnë në kampin al-Hol në Siri. /Rel.