Kur do të filloj numërimi i votave nga diaspora – Flasin nga KQZ

Kur do të filloj numërimi i votave nga diaspora – Flasin nga KQZ

Numërimi i 4 mijë e 639 fletëvotimeve të diasporës, për të cilat Gjykata Supreme ka marrë vendim që të numërohen, nuk mund të bëhet pa u bërë shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë se shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime është i domosdoshëm, në mënyrë që të mund të fillojnë me procesin e numërimit.

Ai tha procesi i shqyrtimit dhe vlerësimit mund të zgjasë dy ditë, ndërsa numërimi pastaj ai tha se mund të kryhet brenda një dite.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve nga jashtë vendit sipas vendimit të Gjykatës Supreme fillimisht është e domosdoshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime, në mënyrë që të mund të fillojmë me procesin e numërimit të tyre. Vlerësimi ka për qëllim që të identifikojë një fletëvotim nëse është dërguar nga votues i regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së regjistrimit si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm. Pasi të bëhet ky vlerësim, ne do ta dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre që refuzohen. Vetëm fletëvotimet e aprovuara i nënshtrohen procesit të numërimit në QNR. Besojmë që së paku dy ditë na duhet kohë për të bërë procesin e vlerësimit të të gjitha këtyre pakove të supozuara me fletëvotime, në mënyrë që pastaj t’i hapet rruga numërimit të tyre në QNR, numërim i cili besojmë se do të mund të kryhej brenda një dite”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në vendimin e PZAP, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4639 zarfeve me vota, pasi kishin arritur me vonesë në Kosovë.

Në ankesën e dytë të Vetëvendosjes, Gjykata Supreme vendosi që KQZ të bëjë rinumërimin e 4639 fletëvotimeve të ardhura jashtë Kosovës