Vëllaut të presidentit të Kosovës, Ganiut që sot sulmoi udhëheqësit e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, punë me policinë i kishte dalur edhe në vitin 2000.
Gani Thaçi menjëherë pas luftës ishte arrestuar nga Policia e UNMIK-ut aso kohe. Atij i ishte gjetur një armë dhe afro 250 mijë dollarë, shkruan Gazeta Insajderi.
Në lidhje me këtë arresim atë botë pati raportuar edhe Associated Press.
Gazeta e njohur shkruante se vëllau i liderit të Kosovës, ishte arrestuar dhe më pas ishte liruar nga paraburgimi.
“Gani Thaçi, vëllai i liderit politik të UÇK-së u lirua të mërkurën pasi policia e ndaloi atë për shkak të një arme që e kishte në apartament”, thuhej në një njoftim të Kombeve të Bashkuara në vitin 2000.
Burimet nga media raportonin se vëllaut të presidentit i ishin gjetur edhe saktësisht 250 mijë dollarë, të cilat më pas u konfiskuan.
“Ai u arrestua të martën. Deklarata e OKB-së nuk përmend ndonjë akuzë, por burimet thanë se atij i ishin konfiskuar 791 mijë dollarë në banesë”, shkruante AP.
Gani Thaçi aso kohe i kishte thënë policisë se paratë i kishin ardhur nga një kompani kanadeze e ndërtimit, kjo për të lehtësuar marrëveshjet me bizneset.
Insajderi sot gjatë gjithë ditës ka raportuar për sulmin e Gani Thaçit ndaj dy drejtuesve të BKS-së, Blerim Pushkolli dhe Gianni Sokoliq. /Insajderi.com