Kur Hashim Thaçi e udhëzonte Adem Grabovcin që të luante k*** me amerikanët

Kur Hashim Thaçi e udhëzonte Adem Grabovcin që të luante k*** me amerikanët

Adem Grabovci tash e tutje ka mbetur pa vizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vendim i tillë është kumtuar sot nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë. Aty theksohet se personat e akuzuar në katër rastet e rënda gjyqësore në Kosovë do t’u refuzohet viza, shkruan Insjaderi.

Njëra ndër rastet e përmendura nga Ambasada e SHBA-ve është edhe rasti “Pronto” aty ku Adem Grabovci së bashku me Besim Beqajn dhe 9 persona të tjerë po akuzohen.

Insajderi kishte publikuar përgjimet e  bisedave të Grabovcit së bashku me anëtarët e tjerë të PDK-së. Aty ai i seleksiononte personat që do t’i emëronte në pozita udhëheqëse të ndërmarrjeve publike.

Pikërisht në këto përgjime Grabovci po bisedonte me presidentin aktual të vendit, Hashim Thaçin. Aty Thaçi po e këshillonte Grabovcin se si të luante **** me Amerikën.

“Hajt se luaj koqe me ta, veç i thom të gjitha këto vendime kanë qenë në fuqi, po s’kanë qenë të vëmendshëm deputet që kanë votu…”, thoshte Thaçi, raporton Insajderi.

Por që nga atëherë situata ka ndryshuar mjaftë shumë. Grabovci nuk është më shef i PDK-së në kuvend e nuk është as deputet i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë ai nuk është larguar në tërësi nga politika, shihet të jetë aktiv në tubimet e PDK-së.

Pavarësisht angazhimit të tij, ai nuk do të mund të udhëtojë për në SHBA, në bazë të vendimit të ambasadës amerikane.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Grabovci ka thënë se nuk do ta komentojë këtë vendim të lëshuar sot nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Ai është shprehur se beson në drejtësi dhe se të gjithë rastin për të cilin ai akuzohet thotë se ia ka lënë drejtësisë të merret me të .

“Hiq, hiq nuk kam kurrfarë komenti, unë ja kam lanë atë punë drejtësisë edhe drejtësia le të merret me të derisa të përfundon, unë ja kam lan drejtësisë edhe besojë në drejtësi, ditën e mirë”, ka thënë Grabovci për Insajderin.