Diku në vitet 200-300 para Erës së Re, në një nga shpellat e ilirëve, (paraardhësve tanë), kishte ndodhur një ngjarje që kishte ndryshuar përjetësisht jetën e atyre " />

Kur historia përsëritet: Si e kishin vrarë shpellarët ilir shtrigën që vidhte fëmijë

Si e kishin vrarë shpellarët ilirë një grua të panjohur për shpellën e tyre dhe sesi vetëm pasi e kishin vrarë atë, e kuptuan se bota është përplot me banorë të tjerë, që nuk duken si ta dhe sesi historia po përsëritet nga pasardhësit e tyre, kosovarët e vitit 2019.

Kur historia përsëritet: Si e kishin vrarë shpellarët ilir shtrigën që vidhte fëmijë

Diku në vitet 200-300 para Erës së Re, në një nga shpellat e ilirëve, (paraardhësve tanë), kishte ndodhur një ngjarje që kishte ndryshuar përjetësisht jetën e atyre shpellarëve. Një njeri ndryshe që nuk ishte e zakonshme për banorët e shpellës, ishte parë tek sillej nga territori i tyre.

Një nga banorët që e kishte parë atë, e vizaton në muret e gurit, formën sesi duket. Të gjithë mbesin të shokuar, paksa të frikësuar. Për banorët e asaj shpelle që nuk kishin dalë jashtë saj me vite dhe ishin mësuar vetëm me fytyrat e format e njëri-tjetrit, kjo specie e re ishte e pakuptueshme. Ndoshta edhe e rrezikshme.

Duke qenë shpellarë, pra pa asnjë informacion bazik mbi jetën dhe diversitetin e specieve në botë, nisin thashethemet. Disa prindër, vendosin t’i shtojnë pak dramacitet, dhe ta prezantojë si një njeri i kamufluar në dukje tjetër.

“Nuk është ashtu si duket, është diçka tjetër, ndoshta një përbindësh…”, kishin thënë disa nga shpellarët. “Thonë se është krijesë e egër dhe se do na vjedhë fëmijët dhe do ti hajë”.

Në ndërkohë që thashethemet vazhdonin të ndryshonin brenda shpellës, vjen një lajm, nga rojtarët e shpellës, që patrullonin jashtë.

“Nuk ka rrezik nga ajo, është thjeshtë një banore që po sillet nga këto anë e që duket ndryshe nga ne”, kishin rrëfyer rojtarët.

Por shpellarët ishin të zorshëm për t’u bindur. Duke mos pasur mundësi ta mposhtin insktiktin e tyre ende kafshëror, e sulmojnë. E gjuajnë me gurë dhe e vrasin.

Ama historia nuk përfundon aty. Në fakt, pas vrasjes, vjen momenti historik për shpellarët: ata kuptojnë se kishin vrarë dikë prej tyre. Se pos tyre si grup që jetonin në një shpellë, ishin edhe qindra-mijëra grupe të tjera, krijesa të njejta sikur ata. Mbi të gjitha kuptojnë se bota është përplot me krijesa të ndryshme, dhe dakordohen se nuk duhet vrarë njëri-tjetrin, se asnjë nga ta nuk ka më shumë të drejta në këtë botë. Dhe kështu, nisë civilizimi i ilirërve…

Shekuj më vonë, viti 2019, pasardhësit e tyre, tashmë jetojnë jashtë shpellave, kanë telefona të mençur, hapësirë për edukim deri në Intelegjencë Artificiale. Përparim i jashtëzakonshëm. Por historia përsëritet.

Një profil në Instagram publikon një fotografi të një gruaje, me qëllim talljen me të. Duke e pasur me miliona informacione për gjithçka, pasardhësit e shpellarëve, vendosin që të bëjnë atë që shpellarët e kishin bërë duke qenë njerëz të padijshëm.

Gruaja është në fakt është një burrë i veshur si grua, është transvestit”, thonë disa nga pasardhësit e shpellarëve.

“Gruaja në fakt është një kidnapuese fëmijësh”, shtojnë disa pasardhës të tjerë të shpellarëve.

Por njashtu sikurse në kohën e shpellarëve ilir, ku rojet kishin vërtetuar se krijesa që shihej të sillej rreth shpellës së tyre nuk ishte e rrezikshme, edhe Policia e Kosovës del dhe sqaron se gruaja në fakt nuk është as transvestit e as kidnapuese fëmijësh. Se është një qytetare e zakonshme, pa ndonjë të kaluar kriminale.

Njejtë sikur në kohën e shpellarëve, as pasardhësit e tyre nuk e dëgjojnë rrëfimin e Policisë dhe vendosin ta sulmojnë gruan. E gjuajnë me gurë, njejtë sikur shpellarët.

Një logjikë e shëndoshë do të thoshte se ngjarja e vitit 2019 është një trillim. Dhe se ajo e shpellarëve ka më shumë kuptim. Në fakt, historia e shpellarëve ilir e treguar në këtë shkrim nuk është e vërtetë. Nuk ka ndodhur kurrë. Kjo e vitit 2019, ka ndodhur dhe është e faktuar.

Por për dallim prej historisë shpellare  ku përfundimi është vrasja, kjo e tanishmja nuk përfundon me vrasje. Përfundoi me një grusht që disa të rinj ia dhanë asaj për ta rrëzuar për toke. Por ajo u zgjua sërish në këmbë, dhe do të vazhdojë të ecë, për të na kujtuar se nuk kemi përparuar aspak nga Republika Shpellare e Ilirëve.

Nëse të rinjtë që sulmojnë një grua të pafajshme janë e ardhmja e këtij vendi, atëherë e ardhmja jonë do të jetë shpella.  Nëse shumica e shoqërisë vendosë t’i besojë çfarëdo rrëfimi dhe është e gatshme të vrasë vetëm pse dikush nuk është si ata, atëherë vendi jonë është në shpellë.

Nëse të tjerët, që kanë tejkaluar mendësinë shpellarë nuk reagojnë, mund të zgjedhim që të vdesim. Nuk do të ketë vend për ne në shpella.