Ramush Haradinaj ishte bërë njëri prej pengesave kryesore të mbarëvajtjes së punës së Kuvendit të Kosovës që drejtohej nga Kadri Veseli.
Haradinaj i AAK-së, bashkë me kolegët e Vetëvendosjes dhe Nismës kishin përdorur të gjitha mjetet – përfshirë dhunën dhe gazin lotësjellës për të penguar punën e Kuvendit, që provonte të ratifikonte demarkacionin me Malin e Zi.
Në një rast, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e kishte përjashtuar nga seanca liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn për shkak të sjelljeve të pahijshme që binin në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit.
“Pas përsëritjes së veprimeve të njëjta në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, në seancën plenare me 19 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Besa Baftiju, Donika Kada – Bujupi, Haxhi Shala dhe Bali Muharremi, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 19 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.
Por, disa muaj më vonë Veseli e Haradinaj janë bërë bashkë duke provuar që më cdo kusht të bëjnë votat që njëri të bëhet serish kryetar Kuvendi, e tjetri kryeministër.
Deri tash koalicioni i tyre nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave. Së fundi, AKR-ja i ka thënë jo koalicionit me PAN-in. Kësisoj, PAN ka vetëm 60 vota. Votën e 60-të e kanë marrë pas një marrëveshje me Ukë Rugovën, vëllanë e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova. /Insajderi.com