Kur krimet e luftës bëhen mburojë e kriminelëve të pasluftës

Poetja e dobëte e politikania naive, Flora Brovina po e mbante një foto të krimeve të luftës në duar. Më shumë se sa provë luftë dukej si mburojë për kriminelët e pasluftës. Pse tash po e hapë gojën Brovina, por jo kur ishte aktiv Tribunali për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY)? Edhe sa prova tjera të vlefshme i ka mbajtur të fshehura ajo?

Kur krimet e luftës bëhen mburojë e kriminelëve të pasluftës

Kujdestari im i klasës së pestë, një kushëri i imi- drejtues i shkollës në fshat dhe një bashkëfshatar kishin vendosur që në marsin e viti 1999 të ktheheshin nga gryka e malit mbi Zllakuçan në shtëpitë e pushtuara nga ushtarët e rregullt serbë që mbronin paramilitarët derisa këta të fundit vrisnin e bënin plaçkë lufte. Nuk u kthyen më kurrë të gjallë. Trupat e tyre u gjetën në një gropë 50 metra larg shtëpisë së tyre. Dhe shtëpisë sime, po ashtu. Askush deri tash nuk është gjykuar për vrasjen e tyre, derisa edhe sot frikësohem që ti bije rreth asaj pjese të malit. Duket që shpirtrat e tyre janë ende aty duke pritur për drejtësi.

Dhe për vrasjen e shumë civilëve shqiptarë kurrë nuk ka pasur as hetime. Për të mos e ekzagjeruar e për të dalë të pasaktë nuk do të përmendmi shifra, por shumica e krimeve të luftës të shtetit serb nuk janë gjykuar në Kosovë. Në një dokumentar që e kemi bërë me InDoks, “Paqe pa Drejtësi” treguam që ndërkombëtarët në vend, UNMIK-u e EULEX-i madje nuk i kanë proceduar në gjykatë si krime lufte as masakrën në familjen Jashari e as masakrën në fashitin Reçak. Po e bën tash Prokuroja Drita Hajdari. Por, gjithnjë ekzistojnë dyshimet se çka mund të bëhet tash kur kanë kaluar dy dekada nga koha kur u krye krimi.

Dhe numri i masakrave të tjera për të cilat ose nuk janë hapur kurrë hetime, ose kanë dështuar në proces është i frikshëm. Për masakrën në Krushën e Madhe, për të cilën po ashtu me InDoks kemi transmetuar dokumentarin “Masakra e madhe e harruar”, njeriu që i pa e i incizoi krimet, Milaim Bellanica kurrë nuk është intervistuar nga drejtësia vendore. E, incizimi i tij ka humbur diku rrugës, dhe personi i fundit që e ka pasur në dorë është kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha. A mund të presim që edhe ai tash, si Flora Brovina, një poete e dobët e një politikane naive, të dalë me prova të krimit serb në Kosovë për nevoja të politikës ditore?

E Brovina si një politikane e paaftë, që paaftësinë e saj e patëm parë kur i ra një herë që të e drejtonte seancën fillestare të Kuvendit veç falë moshës, vendosi që ti bashkëngjitet nismës së Kadri Veselit, shefit të saj, për të kërkuar  një Tribunal të ri për krimet serbe në Kosovë. Ide e mirë, por që edhe vetë Vesli e di që është thjesht marketing politik. Kjo sepse pas Tribunalit për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi (ICTY), ku u gjykua edhe vetë Sllobodna MIllosheviqi, gjasat për një tribunal të ri janë po aq reale sa ajo që Kadri Veslin më nuk do ta ndjek pas hija e tij prej ish-Shefit të ShIK-ut. Kjo e dyta është më reale, nëse Veseli kalon pak kah rubrika e lajmeve rozë, me ndonjë intervistë për familjen e hobit e tij.

Përtej faktit që Brovina tash po e bën këtë lëvizje për t’iu bashkëngjitur Shefit. Përtej fakti që vërejtjet që vijnë nga shoqëria civile e disa deputete që kjo është e rëndë për viktimën dhe familjen e saj, një pyetje më esenciale duhet të shtrohet: Pse Flora Brovina i ka mbajtur të fshehura këto prova? Pse nuk i ka dorëzuar tek hetuesit e Hagës, ose pse nuk dihet në publik që e ka bërë një gjë të tillë? Dhe, më e rëndësishmja, a ka ajo ende prova të tilla që i mban larg duarve të drejtësisë?

A mund krejt  ky veprim ta bëjë Flora Brovinën subjekt të një hetimi për fshehje të provave të krimeve të luftës? Kryesisht për shkak të hipokrizisë së saj, ajo duhet të bëhej subjekt i një hetimi të tillë.

Vetëm pak vite më parë kur nga deputetët kërkohej të votohej projektligji për njohjen e statusit të të dhunuarve gjatë luftës, deputetja Flora Brovina dhe kolegët e partisë së saj kërkonin dokumente dhe ekzaminim për të vërtetuar dhunimin. Sot ajo publikoi foton e një gruaje duke u dhunuar nga serbët në prani të familjarëve të saj.

Por, ajo fotografi që sot e mbante në duar Brovina më shumë dukej si një mburojë për kriminelët e pasluftës, që me bollëk janë në partinë e saj. Ata që pandërprerë flasin për UDB-në derisa refuzojnë të flasin për pasurimin e tyre përmes fondeve të luftës dhe tenderëve e privatizimeve të pasluftës. Ata që e duan një mburojë nga një tribunal që tashmë ka filluar punë po në Hagë, si Dhomë e Specializuar e Drejtësisë së Kosovës.

Në fund të fundit, Flora Brovina mund të ikte nga kjo botë me një turp më pak. Ajo që bëri sot duke i publikuar ato fotografi që do të duhet ti nxirrte para hetuesve në ICTY ishte një turp më shumë. Por, edhe ajo duhet të bëjë diçka për partinë që bëri aq shumë për të.