Një iniciativë e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani vitin e kaluar, për të diskutuar vrasjet politike të pasluftës në Kosovë ishte ndalur nga vet LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur t’i jap vëmendje të madhe kërkesës së tyre për të zbardhur vrasjet e aktivistëve të saj pasluftës së Kosovës në vitet 1998-99, në manifestimet e fundit të partisë.
E një vit më parë deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani kishte propozuar që të diskutohej në Kuvendin e Kosovës për vrasjet e pasluftës. Megjithatë, ky propozim i Osmanit ishte stopuar nga vet LDK.
Grupi Parlamentar i LDK-së kishte thirrur një mbledhje për ta ndalur propozimin e Vjosa Osmanit për diskutimin e vrasjeve të pasluftës në Kuvendin e Kosovës, raporton Insajderi.
Në një intervistë të deputetes më të votuar të LDK-së në emisionin “Komiteti” të transmetuar në Transmetuesin Publik më 20 maj të vitit të kaluar, Osmani tregoi se si Grupi Parlamentar i LDK-së kishte thirrur mbledhje për ta ndaluar atë të inicioj në kuvend debatin për vrasjet politike.
Osmanit i kishin thënë që “nuk bën më me fol për vrasjet politike”.
“Dhe unë kur propozova një gjë të tillë për këtë mandat u thirr një mbledhje e Grupit Parlamentar, dhe më thanë që nuk bënë me fol më për vrasjet politike, për Gjykatën Speciale”, deklaronte deputetja Osmani.
Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar me këmbëngulje nga Isa Mustafa dhe drejtuesit e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet qendrore më 2014.
Por, pas ardhjes në pushtet këto kërkesa janë lënë në harresë nga krerët e partisë, të cilët krijuan koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
E partia e Isa Mustafës duket se ka filluar fushatën para zgjedhjeve të ardhshme që pritet të mbahen këtë vit ose një vit më vonë, duke kërkuar edhe njëherë drejtësi për vrasjet politike të kryera pasluftës.
LDK shënoi 27-vjetorin e themelimit të partisë në degët e saj në Rahovec e Podujevë, përmes tubimeve në të cilat mori pjesë edhe kryetari i partisë, Isa Mustafa. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, manifestimin e 27 vjetorit të themelimit të degës në Podujevë e shfrytëzoi për të kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve.
“Pashmangshëm këto ditë i kujtojmë më pietet prijësit e intelektualët, ideologët e veprimtarët, deputetët e kryetarët që ranë e na i vranë, që ndërruan jetë por bënë vepra hero e martirë lirie”, ishte shprehur Veliu. /Insajderi.com