Marsin e vitit të kaluar regjisori Luan Kryeziu, të cilit para disa ditësh qeveria i ka ndarë 180 mijë euro nga rezervat shtetërore për realizimin e një filmi, bëri bujë nëpër mediat vendore me deklaratën e tij për filmin me Adem Jasharin.
Ai pati deklaruar vitin e kaluar se aktori serb Rade Serbedzija, ka kërkuar ta luajë rolin e Heroit Kombëtar por që Kryeziu nuk e ka pranuar.
Kryeziu pati thënë së Serbedzija kishte kontaktuar me të nëpërmjet aktorit Enver Petrovci.
“Arsyeja ka qenë e çuditshme, duke thënë se ‘unë si serb e pranoj dhe e luaj rolin e Adem Jasharit, atëherë e gjithë bota do ta pranoj Adem Jasharin”, thoshte Kryeziu vitin e kaluara.
Por këto deklarata u patën hudhën poshtë nga aktori Serbedzija, i cili pati thënë se ai asnjëherë nuk është ofruar për këtë rol dhe se Kryeziu ka gënjyer vetëm për të tërhequr vëmendjen kah projekti i tij.
“Është totalisht e pakuptimtë të më kërkohet të luaj atë rol, ashtu siç është e pakuptimtë të besohet se unë do ta pranoja një ofertë të tillë”, tha Serbedzija.
Rade Serbedzija është aktor serb i lindur në Kroaci. Ai ka luajtur në disa filma të hollivudit, përfshirë filmin “Eyes Wide Shut” të regjisorit amerikan Stanley Kubrick.
Gazeta Insajderi, ka raportuar të martën se si regjisori Luan Kryeziu, që njëherësh është edhe dhëndër i deputetit Nait Hasani, përfitoi në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria e Kosovës, 180 mijë euro për realizimin e filmit “Lojë jete”.