
Në fillim të javës së ardhshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019-s.
Kjo do të ndodh, pas numërimit të votave me kusht, atyre me nevoja të veçanta si dhe rinumërimit të katër vendvotimeve që pritet të ndodh nesër.
“Besojmë që në fillim të javës që vjen KQZ-ja do të shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai bëri me dije që sot deri në orë 15:00 janë numëruar mbi 13 mijë vota me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta.
“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve janë duke u numëruar votat me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta, siç e kemi bërë të ditur në plan janë për tu numëruar votat që u përkasin këtyre kategorive. Deri në këto momente që po flasim pra të dhënat e orës 15:00 mund të themi se janë numëruar gjysma e tyre, më shumë se 13 mijë dhe po besojmë që deri nesër gjatë ditës të arrijmë të përmbyllimin procesin e numërimit të gjitha këtyre fletëvotimeve”, ka thënë Elezi, shkruan Insajderi.
Ai bëri me dije se pas vendimit të KQZ-së, nesër (e shtune), pritet të rinumërohen edhe katër vendvotime.
“Gjithashtu gjatë ditës së nesërme planifikojmë të bëjmë rinumërimin e atyre katër vendvotimeve për të cilat vendosi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nesër presim që të përmbyllimin procesin e numërimit të të gjitha votave”, ka thënë ai.