Kur refugjatët nga Kosova filluan jetë të re në Australi

Kur refugjatët nga Kosova filluan jetë të re në Australi

Pamje nga arkivi të TV Australia risjellin kujtimet kur refugjatët e dërmuar nga lufta e Kosovës po ambientoheshin me jetën e re në një vend të largët.

Konflikti i ashpër në Siri, që përveç mijëra të vrarëve e shkatërrimeve ka lënë njerëz duke kërkuar strehim nëpër botë, sjell kujtime të rënda edhe për shqiptarët e Kosovës. Në vitin 1999, mbi gjysmë milioni kosovarë u shpërndanë në vende të ndryshme të globit, duke ikur nga tmerret e luftës.

Pamje nga arkivi shfaqin një grup prej rreth 400 refugjatësh nga Kosova, vetëm pak kohë pasi ata kishin mbërritur në Australi,  në vendin e largët ku jo shumë shqiptarë kanë pasur rastin të shkojnë më herët.

Të lodhur por të lehtësuar, ata ambientohen me jetën e re, të cilën së paku përkohësisht ia kishte mundësuar ky shtet.

Të vendosur në baraka, atyre fillimisht u ishte siguruar fjetje e ushqim, ndërsa në ndërkohë po merrnin veshmbathje.

Njëri nga refugjatët shpreh mirënjohjen për popullin australian duke thënë se “tashmë australianët janë kosovarë”.

Një burrë tjetër, që në luftë ka humbur gruan e fëmijët, thotë se do të ishte e mirëseardhur nëse do të mund të gjente diçka të bëjë, në mënyrë që të mbahet i zënë me punë sa për të harruar të kaluarën.

Rreth 50 refugjatë nga ky grup kishin kërkuar ndihmë mjekësore, por mjekët nuk kishin gjetur probleme të rënda në shëndetin e tyre. Një mjeke thotë se tek ta janë hasur probleme të pritshme për këto situata: fëmijë me infektime në vesh, dhembje fyti ndërsa të rriturit me presion të lartë të gjakut.

Edhe një ministër i Qeverisë australiane kishte shkuar në atë vend për të inspektuar punët që po kryheshin nga mikpritësit.

Por, me gjithë pritjen e përzemërt, refugjatëve nga Kosova nuk iu mungonte dëshira për tu rikthyer në shtëpi.

“Jam e lumtur, por dua që të kthehem në vendin tim,” thotë një vajzë, teksa ndalon së foluri për shkak se nuk mund të përmbajë emocionet e saj./Insajderi.com