Kurban Bajrami megjithatë do të falet – në mes pandemisë e paqartësisë

Bashkësia Islame e Kosovës ka deklaruar se namazi i Kurban Bajramit do të falet nëpër të gjitha xhamitë, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendim që të ndalohen tubimet publike për shkak të rrezikut nga COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se falja apo mos falja e Bajramit i përket BIK-ut, në anën tjetër BIK pretendon se do zbatohen të gjitha udhëzimet shëndetësore si; maska, distanca sociale etj.

Kurban Bajrami megjithatë do të falet – në mes pandemisë e paqartësisë

Bashkësia Islame e Kosovës ka deklaruar se përfundimisht do të falet Kurban Bajrami.

Por, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kanë marrë vendim për masa të reja kundër përhapjes së Coronavirusit dhe pika e 16 ndalon tubimet publike me më shumë se pesë persona.

Megjithatë, përkundër vendimit qeveritar, bashkësia më e madhe fetare nuk ka ndryshuar qëndrim – thotë se ky ritual do të kryet sipas planifikimit.

Për këtë e kishin njoftuar edhe vetë ministrin e shëndetësisë, Armend Zemajn, në takimin e pardjeshëm, të 27 korrikut, në mes myftiut të BIK-ut, Naim Tërnava dhe Zemajt.

Pas takimit ishte deklaruar se në mes këtyre dy institucioneve ka bashkëpunim për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Bashkëbiseduesit janë pajtuar që bashkëpunimi midis MSh dhe BIK t’i shërbejë ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies së popullatës së Kosovës”, kishte deklaruar BIK me anë të një komunikate zyrtare pas takimit.

Kurse Zemaj, në dy tri raste, i fundit sot, e mërkurë, ka përsëritur “se falja apo mos falja e namazit i takon Bashkësisë Islame të Kosovës”, duke mos u sqaruar më shumë se çfarë po nënkupton.

Gazeta Online Insajderi ka komunikuar me kabinetin e Zemajt për të kërkuar më shumë shpjegime rreth situatës ambige që është krijuar, por nga aty nuk kanë qenë në gjendje të sqarojnë më shumë.

Kanë referuar që një sqarim të kërkohet nga asistentë të Zemajt, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Sqarime janë kërkuar edhe nga kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora.

Ai ka treguar për Insajderi-n se si është planifikuar të falet namazi i Kurban Bajramit në këto kushte pandemike.

Hoxha ka deklaruar se “janë obliguar të gjithë imamët të respektojnë udhëzimet shëndetësore”.

Gjithashtu ka treguar se janë shënjuar pozicionet për mbajtjen e distancës sociale duke shpresuar qe edhe xhemati të respektojë rekomandimet shëndetësore.

“Nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës i kemi shënjuar pozicionet për mbajtjen e distancës sociale dhe shpresoj që edhe xhemati të respektojë rekomandimet tona”, tha Bajgora

Po ashtu, pohoi se do të ketë dezinfektues në dyert e xhamive.

Krye-imami  ka porositur gjithë besimtarët myslimanë që të kenë kujdes pasi sipas tij ruajtja e shëndetit është “farz” (obligim fetar).

Gjatë festave të bajramit është traditë që të ketë edhe vizita familjare. Por, hoxhallarët thonë se do ta kenë si kërkesë për xhematlinjtë që të qëndrojnë nëpër shtëpi e të mos realizojnë vizita.

Imami i xhamisë, “Katër Llulat”, Husamedin Abazi, ka thënë për Insajderi-n se ai dhe çdo hoxhë tjetër do të kërkojë nga xhemati që të shmangen vizitat familjare dhe urimi të bëhet përmes telefonit dhe rrjeteve sociale.

“Në këtë Bajram do i porosisim dhe do insistojmë që xhemati dhe i gjithë populli ynë te festojnë ëmbël dhe shëndetshëm. Kjo behet duke e shiju bakllavanë dhe mishin e kurbanit që do e therim gjithë ata që kanë mundësinë dhe duke e shijuar festën brenda gjirit familjar dhe duke mos dalë për vizita të farefisit dhe të miqve por duke i uruar ata përmes telefonit dhe rrjeteve sociale”, ka thënë Abazi.

Ndërsa ish-drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, e sheh të madh riskun që të përhapet Coronavirusi gjatë faljes së Bajrmait.

“Grumbullimet e njerëzve në kohë ritualesh përfshirë edhe falja e Bajrmait përbëjnë risk për përhapjen e Coronavirusit. Por, duhet domosdoshmërisht të zbatohen udhëzimet shëndetësore si; maska, distanca sociale”, ka thënë Ramadani.

Fitër Bajrami i këtij viti nuk ishte falur përkundër asaj që Kosova ishte gjendur në fazën e dytë të masave lehtësues nga Qeveria Kurti.

Për këtë kishte reagime nga shumë besimtarë myslimanë./Insajderi.com/