Kurdisja e zërit të popullit

Shkruan: Faton Ismajli

Kurdisja e zërit të popullit

Dikur, pas luftës, zëri i popullit kurdisej me rrëfime për “buallicat e Ferizajt”, “qentë e Sharrit”…; më vonë dikur, pak para dhe pas pavarësisë, mendimi i sovranit modelohej me narracionin e rremë të  “liberalizimit të vizave”, “Lipjanit si Francën”, “Silicon Valley”… Tash zëri i popullit u konstruktua me premtime për “burgosje liderësh”, “bashkim kombëtar” deri te deportimi i kundërshtarëve politikë nga Kosova. Pa asnjë dyshim, për t’iu bërë ballë këtyre mashtrimeve duhet të lexoni libra.

Ibrahim Rugova vazhdon të mitizohet dhe lartësohet sa më shumë që po kalon kohë nga vdekja e tij. Po e madhërojnë njeriun që i fitoi të gjitha zgjedhjet e pasluftës, periudhës kur votat e merrte kryesisht duke përdorur fjalë që populli donte në atë kohë t’i dëgjonte për “buallicat e Ferizajt” e “qentë e sharrit”… Fitonte duke pasur afër vetes ministra si Astrit Haraqija, Melihate Tërmkolli e Adem Salihaj. Tash në LDK ka rënë në derexhe me vajtu edhe Eqrem Kryeziu. As që bëhet fjalë se një ditë kjo parti s’do të jetë e para përderisa aty tema bosht nuk është libri as qeni. Aty po bëjnë llafe e po përplasen se ku duhet vendosur një fotografi.

Nejse, ideja e krejt këtij teksti ishte të mos përmendja emra, por të shkruaj për ide, bazuar në libra, ashtu siç ka dëshirë Kryeministri i ri.

Kur jemi te librat, themeluesi i Marrëdhënieve me Publikun, Edward Bernays, shpjegon se si liderët i fitonin zgjedhjet në fillim të viteve të para të shekullit të kaluar. Ai shkruan se zëri i popullit qysh atëherë kurdisej nga liderët që e impononin rrëfimin e tyre përmes propagandës. Me një fjalë, zëri i sovranit është zëri i atij që ka arritur t’i bindë votuesit duke folur për buallica e qen, liberalizim vizash, Lipjanin si Francën, arrestimin e liderëve të korruptuar e deportim të kundërshtarëve politikë nga Kosova.

Të kthehemi pak në histori. Pasi vdiq Rugova, në janar të 2006-s, ndodhi ndarja e LDK’së, zgjedhjet i fitoi Hashim Thaçi. Ky i fundit e modeloi zërin e sovranit me tregime e rrena për “liberalizim vizash”, “qendra të Silicon Valley”, “Lipjanin si Francën“, “200 mijë të punësuar“. Edhe ky fitonte vota duke pasur afër vetes Xhabir Zharkun, Adem Grabovcin e Dardan Gashin. Në këtë zallamani s’ka munguar kurrë as Astroja.

Më 2014, kur Hashim Thaçi shkoi në Presidencë, loja ndryshoi dhe u krijua një ambient kur brenda PDK’së s’ka njerëz që dinë dhe munden të kurdisin mendjen e votuesve siç bënte dikur prijësi i tyre. Me gjithë fitoren e PAN’it më 2017, Kadri Veseli e thelloi humbjen në zgjedhjet e fundit, ku doli i treti. Me tendencë për ta çuar edhe më poshtë PDK’në. Ndërsa AAK’së pas këtij procesi elektoral i mbetet të konkurrojë vetëm në qytezën e Junikut dhe t’ia vendosin partisë drynin e madh me vulë të Dukagjinit. NISMA, nëse nuk do të shuhet, do t’u kthehet rrënjëve aty ku dikur Fatmir Limaj mbante pozitë të Zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Dhe dalim te fituesi i fundit: Albin Kurti. Por njëherë po ia tregoj Kryeministrit të ri një rrëfim që e kallëzojnë njerëzit e afërt të Rugovës.

“Kryetari i LDK’së këshillonte të afërmit e tij qe sa herë Veton Surroi, Baton Haxhiu, Shkelzen Maliqi shtyjnë një kauzë përpara, duhet të shkohet në drejtim të kundërt. Edhe nëse është keq, më vonë do të dalë mirë”, citojnë fjalët e djalit të ardhur në Prishtinë nga Cerrcë të Istogut.

Këtë këshillë, Kryeministër, përdore për vete edhe tash kur këshillat të vijnë nga kundërshtarët tuaj politikë e sidomos nga ish-Kryeministri, që s’dihet saktë ku e ka përfunduar shkollën e mesme.

Po të isha në vendin tënd, posa ta kisha lexuar letrën e fundit të Ramush Haradinajt, i kisha ftuar ministrat në një mbledhje urgjente. Me të vetmen pikë të rendit të ditës: heqjen e taksës a tarifës ndaj dy shteteve të Ballkanit. E kisha bërë këtë veprim pasi po të këshillon dikush që e ka udhëhequr Kosovën duke e konsideruar këtë shtet sikur të ishte plaçkë, e duke iu ndarë para grupeve me potencial kriminal e bizneseve kontroverse.

Taksën hiqe edhe për faktin se zërin e popullit e keni konstruktuar dukë thënë e “ngjallur shpresën” se do t’i burgosni liderët e korruptuar, do ta bëni “bashkimin kombëtar”, do t’i lini 12 ministri etj. Ish-prijësi studentor i ka fituar zgjedhjet duke pasur afër vetes Sami Kurteshin e Salih Zyban, që e paralajmëroi përndjekjen e Shpend Ahmetit nga Kosova posa VV’ja doli e para. Më vjen keq pse ia kam qëlluar, kur më 2015 pata shkruar se ju jeni në gjendje, sikur liderët tjerë, të lidhni koalicion e të bëni marrëveshje edhe me ata që me të drejtë deri dje i keni quajtur edhe kriminelë e tradhtarë.

A kanë faj populli, sovrani, votuesi për gjithë këto mashtrime? Duhen shumë argumente për ta pohuar apo mohuar fajësinë e atyre që votojnë, sepse fatkeqësisht skena politike deri më tash i ka ofruar kryesisht këta njerëz dhe këto parti politike.

Por, votuesit nuk duhet dëgjuar porosinë e një opozitari në Parlament se me libra dhe lexim nuk udhëhiqet shteti. Kur shteti udhëhiqej pa libra, njerëzit në dorë kanë mbajtur gurë dhe kanë jetuar nëpër shpella. Prandaj, lexoni libra dhe analizojini premtimet e Albin Kurtit. Nëse e thellon edhe më shumë gënjeshtrën, ndëshkojeni edhe më shumë se këta tjerët që e trajtuan shtetin sikur, qysh pati thënë ambasadori kroat në Kosovë, lopë me mjelë.

Me pak fjalë: Kthejuni librave dhe punës e mos i dëgjoni mashtruesit si Gjonbalaj me 50 milionë që kurrë nuk do t’i investojë në Kosovë.