Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat do të jenë për Albin Kurtin si dhe për Albulena Haxhiun duhet të shkojnë për këtë subjekt politik, njofton Insajderi.
Kjo pasi Kurti dhe Haxhiu nuk janë certifikuar nga Gjykata Supreme për të kandiduar si deputetë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Sipas tij, “të gjitha fletëvotimet ku votohet Kurti dhe Haxhiu do të shkojnë për LVV-në. KQZ-ja nuk i fut në listën e kandidatëve numrat që janë larguar nga broshura, por nuk mund të veprojë në asnjë mënyrë kundër vullnetit të qytetarëve dhe ato vota numërohen për subjektin”.
“Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin subjektin dhe kanë të drejtë të zgjedhin në mesin e kandidatëve 110 numra, ka qytetarë që nuk e zgjedhin asnjë kandidat, por vota për subjektin nuk humb sepse qëllimi i votuesit shihet kur e voton subjektin politik”, ka thënë Kurteshi për EO. /Insajderi.com