Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa nga ministrat e vendit janë nisur për në Kroaci, për të vizituar të lënduarit nga aksidenti i ndodhur gjatë mëngjesit të së dielës në autostradën pranë qytetit Slavonski Brod, transmeton Insajderi.
Fillimisht u raportua se Kurti bashkë me disa nga kabineti qeveritar do të arrijnë atje rreth orës 18:00, por kjo është shtyrë deri në orën 19:45. Pas arritjes në Kroaci, Kurti pritet që të niset drejt Slavonski Brod me helikopter, raporton “Dnevnik.hr”.
Ai bashkë me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, do të vizitojnë spitalin ku po trajtohen të lënduarit nga ky aksident i rëndë.
Për në Kroaci, bashkë me Kurtin janë nisur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.
10 persona kanë vdekur si pasojë e aksidentit të autobusit me regjistrim të Kosovës, i cili ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë.
15 pasagjerë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 44 persona të tjerë që kanë marrë lëndime më të lehta trupore, janë trajtuar në dy spitale të Kroacisë.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, pas vizitës që I bëri të lënduarve, tha se do të jenë të gatshëm të ndihmojnë në çfarëdo mënyre që është e nevojshme.
“Ne do të ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme. Jo të gjithë do të jenë në gjendje të shkojnë në Kosovë në të njëjtën kohë, disa janë të plagosur, disa nuk janë, ne do të ndihmojmë me transportin dhe në të gjitha mënyrat që nevojiten”, tha ai në një konferencë për media pas vizitës së tij në spital. /Insajderi.com