Kurti: Asnjë i vaksinuar s’ka vdekur, shumë pak janë të hospitalizuar

Kurti: Asnjë i vaksinuar s’ka vdekur, shumë pak janë të hospitalizuar

Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të mërkurën qytetarëve që të vaksinohen kundër Coronavirusit, teksa tha se asnjë nga të vaksinuarit, nuk ka vdekur deri tani.

Ndërsa, shtoi se “sipas raporteve, kemi shumë pak të hospitalizuar nga ata që janë vaksinuar dhe të hospitalizuarit e vaksinuar po e përballojnë shumë më lehtë”.

Duke përmendur faktin se varianti delta i COVID-19 është dominues në Kosovë dhe lehtësisë së transmetimit, Kurti theksoi se “vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar”.

“Pavarësisht se ne kemi filluar më së voni me procesin e vaksinimit për shkak të mungesave që i kemi gjetur, me ritmin dhe dinamikën e ditëve të fundit, kemi arritur të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë. Janë administruar mbi 635 mijë vaksina, ndërsa mbi 220 mijë qytetarë janë vaksinuar më të dy dozat”, ka shkruar shefi i qeverisë në profilin e tij në Facebook.

Ndonëse sipas tij vaksinimi po shkon mirë, tha se “ e kemi të detyrueshme ndërmarrjen e masave të reja të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe me këtë të ruajmë shëndetin publik”.

“Prandaj, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike, morëm vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Përballë përhapjes eksplozive të variantit Delta të virusit, krahas respektimit të masave, për secilin prej nesh mburoja është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv”./Insajderi.com