Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos i mbyllë sytë para nxitjes që po bën regjimi autokrat në Serbi, përcjell Insajderi.com.
Nga Forumi Socio-ekologjik në Shkup ku po merr pjesë, Kurti tha se prezenca e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare në veri është për t’i mbrojtur ato.
“Bashkësia ndërkombëtare të mos i mbyllë sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta kundërshtojnë dhe luftojnë shtetin tonë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë me policë kufitarë, ndërkaq Njësia Speciale atje është për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Kurti, raporton KosovaPress.
Duke komentuar zjarrëveniet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, Kurti ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe komunitetet pa dalliim etnie për durimin e treguar karshi provokimeve.
“Zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndodhur pak pas mesnate janë dëshmi se çka do t’iu ndodhte pikave kufitare 1 dhe 31 nëse aty nuk do të ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Bllokimi i rrugëve nuk po ndodh nga policia jonë, as qarkullimi i lirë i lëvizjes nuk pengohet nga policia jonë, përkundrazi”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka fajësuar Serbinë se po i përkrah grupet kriminale në veri të vendit që po kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike.
“Është për të ardhur keq që grupe kriminale në veri të Ibrit, gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj, edhe qytetarët pa dallim etnie atje janë dëshmuar për qetësinë dhe durimin e tyre. Andaj, unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që të vazhdojnë kësisoj”, ka thënë ai nga Shkupi, ku po merr pjesë në Forumin Socio-ekologjik.
Mëngjesin e së shtunës është raportuar se një zjarr ka shpëthyer në ndërtesën e Komunës së Zubin Potokut.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se me këtë, Serbia po provon nxitjen e një konflikti serioz ndërkombëtar.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.
Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Insajderi.com