Njohësi i zhvillimeve politike të Serbisë, Azem Vllasi, mendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë gjënë e duhur që “e ka provokuar”, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimin e 19 korrikut, Bruksel.
Kurti, duke iu referuar historisë – përmendi tri gjenocide që “Serbia i ka kryer mbi shqiptarët që nga viti 1878”.
Për më shumë kreu i ekzekutivit kosovar i dhuroi Vuçiqit edhe disa libra. Ky i fundit i refuzoi pa mëdyshje.
Por, nga prizmi i Vllasit, “Kurti ia ka kujtuar Vuçiqit se ai është pasues i politikave të Millosheviqit”.
Përkundër kësaj, sugjeroi se racionaliteti në bisedime nuk bën të mungojë.
“Në vazhdim të bisedave në Bruksel pala kosovare duhet të tregohet konstruktive, të ketë qëndrim proaktiv duke u përqendruar në formatin dhe përmbajtjen e asaj që do të quhet Marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”, pohoi Vllasi në një përgjigje për Insajderin.
Konstruktivitetin në dialog nga Kosova e Serbia po e kërkon edhe Bashkimi Evropian.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell e i dërguari special për dialogun, Miroslav Lajçak – janë dëshmitarë të një mospajtimi të thellë ndërmjet Prishtinës e Beogradit në tryezën e Brukselit.
Sipas, Vuçiqit “Kurti është kthyer në shekullin e 19”, dhe se “diplomatët evropianë po befasohen nga ajo që çfarë po dëgjojnë nga ai”.
Ndërsa, Kurti, ka deklaruar pas takimit se bisedimet po vazhdojnë ndërmjet dy vendeve e që Kosova është palë, jo çështje.
Kurti e Vuçiq shtuan se duhet të shikojnë përpara. Disa nga këto çështje i përmendi edhe Vllasi.
“Duhet të shpreh vullnetin dhe dakordimin e të dyja shteteve për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve me interes reciprok, mbi baza të fqinjësisë së mirë: prej zbardhjes së rastit të pagjeturve nga koha e luftës, obligimin e secilit shtet për mirëqenien e pakicave”.
Mospajtimi po lidhet me “njohjen reciproke”, aty Kurti e Vuçiq kanë mospajtime të thella.
“Vuçiq thotë se duhet të marrin diçka”, ndërsa Kurti ka qëndrim se “pavarësia me Pakon e Ahtisarit ishte kompromis”.
Për të pasur sukses epilogu, avokati Vllasi, shtoi se Qeveria duhet të jetë transparente për sa i përket dialogut.
Fjalën e kishte për raportimin se duhet t’ia bëjë opozitës në Kosovë e cila në parim mbështetë dialogun me Serbinë, por duke kërkuar njohje nga Serbia.
Javë më parë, Kurti kishte thënë se “nuk japin asgjë për të marrë njohje”, por duke pranuar se njohja nga Beogradi ka shumë rëndësi për Kosovën.
Këto deklarata të Kurtit kanë bërë që presidenti serb të deklarojë se “s’po mund të merret vesh me Kurtin”.
Në anën tjetër nga opozita thuhet se me Kurtin “po ngecë çështje e dialogut”.
Sipas tyre, “Kurti po bën drama në Bruksel”, e për këtë ka një “qellim”; zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Dialogu Kosovë-Serbi, filloi një vit pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dhënë verdiktin se “pavarësia e Kosovës nuk është e njëanshme”.
Në Beograd vazhdon argumenti se “Serbisë i është cenuar territori”, ndërsa çlirimi i Kosovës është thirrur mbi të drejtën e popujve për Vetëvendosje.
Komplikimi tejkalon përtej rajonit, pasi superfuqitë e mëdha shpesh diskutojnë për Kosovën si një çështje e përfunduar në Prishtinë më 17 shkurt 2008, por jo edhe në Beograd tash kur jemi në vitin 2021./Insajderi.com