Kurti: Çështja e të pagjeturve është plagë e hapur, është me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë

Kurti: Çështja e të pagjeturve është plagë e hapur, është me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka priti në takim Martin Schüepp, drejtor rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq , shkruan Insajderi.

Sipas një njoftimi të dërguar për media thuhet se temë qendrore e takimit ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, që është edhe arsyeja kryesore e vizitës së Schüepp në Kosovë dhe në rajon.

Schüepp tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

“Kryeministri Kurti,  tha se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Siç tha ai, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb”, është shkruar në njoftim.

Kryeministri me tej, ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, është deklaruar në njoftim./Insajderi.com